Presidenti i FFK-së mirëpret lojtarët e rinj që iu bashkuan Kosovës për ndeshjet e shtatorit

Presidenti i FFK-së mirëpret lojtarët e rinj që iu bashkuan Kosovës për ndeshjet e shtatorit

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka mirëpritur prurjet e reja tek Kosova para dy ndeshjeve që ‘Dardanët’ do t’i luajnë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Kosova do të përballet me Rumaninë në ‘Fadil Vokrri’ më datë 6 shtator, ndërsa tri ditë më vonë (9 shtator) do të luajnë në udhëtim ndaj Qipros.

Risi në grumbullimin e përzgjedhësit Franco Foda janë Elvis Rexhbeçaj, Eliot Bujupi dhe Fisnik Asllani që do të jenë një ‘armë shtesë’ drejt arritjes së rezultateve pozitive.

“Me kënaqësi i mirëprita prurjet e reja në Kombëtaren tonë, Elvis Rexhbeçaj, Fisnik Asllani dhe Eliot Bujupi, të cilët janë të mbushur me vullnet, dëshirë dhe entuziazëm për të dhënë më të mirën në fanellën dardane”.

“Ata, së bashku me djemtë tjerë që tashmë me përkushtim ndërvite kanë kontribuar në Kombëtare, do të japin gjithçka nga vetja e tyre për sukses në edicionin e ri të Ligës së Kombeve”.

“U uroj mirëseardhje dhe shumë sukses në këtë mision të ri”, thuhej në postimin e Ademit në Facebook.

Related Articles