Presidenti i Shqipërisë i quan “akte burracake” sulmet mbi Policinë e Kosovës

Presidenti i Shqipërisë i quan “akte burracake” sulmet mbi Policinë e Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar për sulmet që kanë ndodhur sot mbi forcat e Policisë së Kosovës në Zubin Potok. Meta ka shprehur besimin e tij se institucionet e Kosovës do t’i zbardhin rrethanat e akteve, që ai i ka quajtur burracake.

“Dënoj me ashpërsi sulmin e dhunshëm dhe me armë ndaj autoriteteve policore të Kosovës, në Zubin Potok. Kam besim të plotë se institucionet ligjzbatuese të Republikës së Kosovës do t’i zbardhin shumë shpejt këto akte burracake dhe do të vënë para drejtësisë autorët. Bëj thirrje për shmangien e çdo provokimi dhe përshkallëzimi të tensioneve, që minojnë sigurinë e Kosovës, paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka shkruar presidenti Meta.

Sot, Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti, kanë bërë të ditur se ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës kanë ndodhur katër sulme në tri ditët e fundit në pikat kufitare në veri të vendit.

Ata kanë thënë se dyshimet janë që sulmet kanë ardhur nga territori i Serbisë.

Related Articles