Kroacia mbështet fuqishëm afirmimin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës dhe pret që ajo të njihet nga të gjithë anëtarët e BE-së.
Këto janë fjalët që sot ia ka thënë presidenti kroat Zoran Milanoviq, ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwartz, shkruajnë mediat kroate, përcjell Telegrafi.
Milanoviq dhe Gërvalla-Schwartz, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Kroaci, diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve, planin aktual për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
“Presidenti Milanoviq ia konfirmoi ministres Gërvalla-Schwartz se Kosova gjithmonë ka pasur dhe mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen solide nga Kroacia kur është fjala për afirmimin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës”, citohet të jetë thënë në një deklaratë.
“Ne presim që të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë më tej ai, sipas komunikatës për media.
Veç këtyre, Milanoviq thuhet se përshëndeti përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të siguronte stabilitet afatgjatë në Evropën Juglindore dhe perspektivë evropiane për të gjithë rajonin.
Mediat kroate kujtojnë faktin se pavarësia e Kosovës nuk është njohur nga pesë anëtarë të BE-së: Qiproja, Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia.