Presidenti në ngërç, zgjedhjet në horizont: kush fiton dhe kush rrezikon?

Presidenti në ngërç, zgjedhjet në horizont: kush fiton dhe kush rrezikon?

Çdo ditë e më afër afatit të 28 prillit, shpresat që partitë të pajtohen për një emër për president të ri shkojnë duke u pakësuar, shkruan Gazeta Enigma.

Pas takimit që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pati të hënën me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, dyshja thanë se përfundimisht nuk ka marrëveshje dhe se vendi “fatkeqësisht” po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

Ndërkohë, sot, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se për partinë që ai e drejton, çështja e presidentit “është kryer”.

Kush kë e fajëson dhe pse?

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me partinë e tij, akuzon partitë opozitare se nuk kanë vullnet për të zgjedhur president dhe se të njëjtat nuk po pranojnë që vetë ato ta propozojnë një emër konsensual për president.

Ndërkohë, LDK e Lumir Abdixhikut thotë se Kurti po synon që të tri postet kryesore shtetërore të jenë emra nga LVV, çka të njëjtit nuk e pranojnë.

Nga PDK po ashtu thonë se Kurti nuk ka vullnet për të zgjedhur presidentin dhe se ata nuk kanë pranuar ftesë zyrtare nga Kurti për takime të reja.

Ndërkohë, AAK ka mbetur jashtë gjithë kësaj sage, pasi ata asnjëherë nuk janë ftuar nga Kurti për të biseduar për çështjen e presidentit.

Kujt i konvenojnë zgjedhjet e reja?

Njohësi i çështjeve politike, Xhavit Drenori, thotë se LVV dhe PDK nuk kanë çfarë të përfitojnë nga zgjedhjet e reja, ndërkohë që LDK mund të ketë një rritje, nëse bëhet rikthimi i Vjosa Osmanit.

“LDK-ja mund të kalkulojë në rikthimin e Vjosa Osmanit, pra në ribashkimin e forcave, ku do të mund të dilte me një rezultat më të mirë sesa më 28 dhjetor. Prandaj, VV dhe PDK nuk kanë çfarë të fitojnë apo çfarë të pretendojnë se do të fitojnë, nëse shkojnë në zgjedhje të reja të parakohshme. Këto dy subjekte politike duhet të dakordohen për një emër konsensual”, deklaroi Drenori.

Sa i përket AAK-së, Drenori thotë se kjo parti rrezikon kalimin e pragut në zgjedhje të reja potenciale.

“Aleancën e shoh si një lloj sateliti aty, për momentin një rol jo shumë të rëndësishëm për zgjedhjen e presidentit. Mirëpo, Aleanca mund ta luajë një rol përafrimi, që të mos shkohet në zgjedhje. Sepse nëse shkohet në zgjedhje, AAK-ja mbetet e rrezikuar që të mos e kalojë pragun. Prandaj, edhe Aleanca duhet t’i shfrytëzojë mundësitë që kjo legjislaturë ta vazhdojë mandatin”, deklaroi analisti.

“Kurti e ka thënë edhe vetë: Një koalicion me LDK-në nuk do të zgjasë as 5 ditë”

Njohësi tjetër i çështjeve politike, Leon Duhanaj, thotë se takimet e Kurtit me Abdixhikun “janë thjesht farsë para zgjedhjeve”.

“Një strategji për zhvendosje të fajit dhe përpjekje për pushtet absolut. Vetë z. Kurti ka muaj të tërë që ka deklaruar se një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës është thuajse e pamundur. Në këtë kontekst, ftesa e tij për dialog nuk duket si një përpjekje reale për zgjidhje, por më shumë si një manovër për të zhvendosur fajin tek opozita para opinionit publik, në prag të zgjedhjeve”, tha ai.

“Ai ka ofruar pjesëmarrje në qeveri, por pa asnjë garanci për qëndrueshmërinë e një koalicioni të tillë. Madje, vetë Kurti ka lënë të kuptohet se një bashkëpunim i tillë mund të mos zgjasë as disa ditë, siç e ka thënë edhe vetë: ‘një koalicion me LDK-në nuk do të zgjasë as 5 ditë’”, deklaroi Duhanaj për “Enigmën”.

Kjo sipas tij krijon përshtypjen se synimi është që të sigurohen votat për Presidentin dhe më pas të prishet marrëveshja.

“Zgjedhjet e reja do të ishin fatale për të gjithë, veçanërisht për opozitën”

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë për Gazetën Enigma se nëse vendi shkon edhe njëherë në zgjedhje, kjo do të ishte fatale për të gjithë, “veçanërisht për opozitën”.

“Nëse një formalitet kaq teknik e pengon dikë dhe me inate shkojnë prapë në zgjedhje, sikur në vitin e kaluar, zgjedhjet do të jenë fatale për të gjithë, veçanërisht për opozitën”, tha Baraliu.

“Prandaj, edhe po të mos ketë marrëveshje, nuk e di pse duhet të ketë marrëveshje, kur çdo deputet e ka për detyrë me Kushtetutë dhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese që t’i ndërtojnë institucionet dhe t’i bëjnë funksionale. Kjo do të thotë se ata duhet të jenë në mbledhje të Kuvendit dhe të votojnë për, kundër apo abstenim. Kjo do të jetë e mjaftueshme për ta bërë kuorumin herën e parë dhe herën e dytë, dhe në herën e tretë të votohet me mbi 61 vota”, deklaroi profesori universitar.

Kur përfundon afati?

Afati për zgjedhjen e një presidenti të ri do të përfundojë më 28 prill.

Nëse deri atëherë Kosova nuk ka një president të ri, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje.

Pas kalimit të afatit, Kosova pritet të mbajë zgjedhjet e treta të jashtëzakonshme radhazi, më 7 ose 14 qershor. /GAZETA ENIGMA

Related Articles