Presidentja Osmani emëron Learta Hollaj zëvendësshefe në kabinetin e saj

Presidentja Osmani emëron Learta Hollaj zëvendësshefe në kabinetin e saj

Presidentja Vjosa Osmani ka emëruar Learta Hollajn, zëvendësshefe të stafit të kabinetit të presidentes. Hollaj ka qenë fillimisht e angazhuar si këshilltare kryesore për zhvillim të qëndrueshëm dhe partneritet.

Ajo ka mbuluar portfolion e energjisë, politikave mjedisore e zhvillimore, politikën e jashtme, si dhe projekteve e iniciativave në fushën e barazisë gjinore duke promovuar vazhdimisht partneritetin dhe bashkëpunimin me akterë relevantë në fushat përkatëse.

Learta Hollaj ka udhëhequr organizimin e edicionit të parë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ndërsa aktualisht po ashtu udhëheq punën në një prej tri shtyllave të zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci, që fokusohet në avancimin e të drejtave të njeriut përmes promovimit të diversitetit dhe gjithëpërfshirjes.

Hollaj iu bashkua ekipit të presidentes Osmani në vitin 2020 si këshilltare politike e Kryetares së Kuvendit, e para kësaj ishte anëtare aktive e shoqërisë civile dhe punonte në hartimin e politikave në fushën e energjisë, mbrojtjes së ambientit, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm në përgjithësi.

Hollaj studimet bachelor i ka përfunduar në RIT Kosova, ndërsa studimet në nivelin master i ka përfunduar në Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest. Hollaj merr rolin nga Artan Murati i cili ka mbajtur këtë pozitë deri më tani.

Osmani ka falënderuar Artan Muratin për punën e tij të palodhshme dhe kontributin profesional në kabinet përgjatë shërbimit të tij në këtë pozitë, ndërkaq i ka uruar sukses në rrugëtimin e tij të ardhshëm profesional. Presidentja po ashtu ka theksuar se do të vazhdojë punën e shkëlqyer me Hollaj për t’i arritur objektivat e Kabinetit të Presidentes dhe avancimit të mëtutjeshëm të punës së këtij kabineti.

Related Articles