Presidentja Osmani i çon komentet në ZRRE për çështjen e shtrenjtimit të rrymës

Presidentja Osmani i çon komentet në ZRRE për çështjen e shtrenjtimit të rrymës

Pak para se të përfundoj afati, nga Zyra e Presidentes Vjosa Osmani kanë dërguar komentet e veta për propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji lidhur me propozimin e këtij organi për shtrenjtimin e rrymës, raporton Gazeta “Enigma”.

Komentet nga shefja e shtetit theksojnë respektimin e parimit të mosdiskriminimit, përballueshmërisë dhe qasjes së barabartë dhe furnizimin e rregullt me rrymë.

“Për Presidenten e Republikës së Kosovës, objektiv kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike. Nisur nga kjo, kërkohet nga ZRRE që, ashtu siç e ka cekur vet në dokumentin e publikuar, të sigurohet që ‘konsultimi publik [të jetë] në qendër të politikave rregullatore efektive. Respektivisht, ZRRE-ja ftohet që me seriozitet t`i trajtojë komentet dhe rekomandimet e palëve të interesit dhe t’i integrojë ato në mënyrë adekuate në dokumentin final, në mënyrë që struktura e re tarifore të mos jetë diskriminuese dhe e papërballueshme ndaj grupeve të caktuara të konsumatorëve në vend”, potencohet ndër tjerash në komentet e presidentes Osmani.

Sot është afati i fundit që ky institucion do t’i pranojë komentet për çështjen e shtrenjtimit të rrymës, të propozuar përmes një raporti konsultativ që u publikua më 17 janar.

Raporti konsultativ u bë në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm që ZRRE-ja e ka bërë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektike.

Sipas ZRRE-së, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh rrymë në muaj dhe ata që shpenzojnë edhe më shumë se kaq, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.

Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kwh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës. / Gazeta Enigma.

Related Articles