Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas mos-nisjes së mësimit më 1 shtator duke thënë se në vend të grevës, e cila sipas saj i dëmton nxënësit, duhet t’i jepet mundësi dialogut.
Osmani u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në këtë proces që ta bojkotojnë grevën dhe atë ta zëvendësojnë me dialog.
“Sot na duhet reflektim dhe sjellje e përgjegjshme, jo vetëm në raport me procesin mësimor, por edhe për sfidat e mëdha nëpër të cilat po kalon shteti ynë. Sindikata e arsimit parauniversitar ka të drejtë t`i adresoj shqetësimet në raport me mirëqenien e mësimdhënësve dhe pagave të tyre, por gjithmonë duke shmangur dëmin e pariparueshëm që i bëhet interesit të nxënësve nga ndalimi i procesit mësimor”, është shprehur Osmani.
Më tej, e para e shtetit tha se institucione e Kosovës janë duke realizuar reforma për përmirësimin e sistemit arsimor, rritjen e cilësisë e përmirësimin e pozitës materiale për mësimdhënës.
“Prandaj edhe është proceduar Projektligji për pagat, i cili parasheh përmirësimin e pozitës për mësimdhënësit. Të gjitha palët kanë të drejtë t`i adresojnë propozimet e tyre për përmirësimin e këtij Projektligji, i cili është i hapur për diskutime paraprake dhe shumë shpejtë pritet të jetë në diskutim publik”, ka shkruar Osmani.
Osmani më tej tha se fillimi i mësimit duhet të jetë i pakushtëzuar, teksa shtoi se secili veprim i institucioneve dhe sindikatave duhet të jetë në shërbim të nxënësve dhe përmirësim të cilësisë së sistemit arsimor.
“Si Presidente e vendit, jam për përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve dhe rritjes së cilësisë në arsim duke e ditur se arsimi cilësor është bazamenti i një shteti e shoqërie të suksesshme. Por, jam në anën e nxënësve. E drejta u takon vetëm atyre! Atyre duhet t`ua ofrojmë dhe mbrojmë të drejtën për edukim dhe arsimim! E grevës duhet t`ia zë vendin dialogu”, ka thënë Osmani.
Ajo bëri të ditur se zyra e saj ka kontaktuar me të gjitha palët dhe po angazhohet për të gjetur një zgjidhje të pranueshme që në fokus, sipas saj, ka interesin e nxënësve dhe të gjithë sistemit arsimor.