Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se është pritur në takim nga kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte, shkruan Gazeta Enigma
Osmani dhe Simonyte kanë vlerësuar lartë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kanë konfirmuar angazhimin për thellimin e tyre, posaçërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, teknologjisë informative dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.
Osmani ka theksuar se forcimi i bashkëpunimit me aleatët mbetet prioritet kyç i politikës së jashtme të Kosovës.
“Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Lituanisë ndër vite, ndërkaq tani është kyçe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në aspiratat tona drejt integrimit në BE dhe në NATO. Në një kohë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, me kryeministren u dakorduam që ta intensifikojmë bashkëpunimin e ndërsjellë në politikën e jashtme dhe të sigurisë”.
Temë e takimit ndërmjet presidentes kosovare dhe kryeministres lituaneze ishte edhe agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, ku Osmani ka potencuar mbështetjen e Kosovës ndaj popullit ukrainas.
“Pozicioni i Kosovës për Ukrainën është plotësisht në përputhje me SHBA-në, BE-në dhe të gjitha vendet demokratike. Kosova ka miratuar sanksionet kundër Rusisë dhe është duke ofruar gjithë mbështetjen e mundshme për popullin e Ukrainës”.
Ajo poashtu ka përmendur tendencat e Rusisë që nëpërmjet satelitit të saj, Serbisë, ta destabilizojë Ballkanin.
Osmani ka kërkuar nga kryeministrja Šimonytė mbështetje në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e në veçanti në Këshillin e Evropës, ku Kosova sot ka aplikuar për anëtarësim.
E para e shteti nga kryeministrja e Lituanisë kërkoi mbështetje edhe për t’i bindur shtetet skeptike për shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, gjë që vazhdimisht është përkrahur nga Lituania.