Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim komandantin në largim të Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it amerikan (KFOR 34), kolonelin Peter Helzer nga Garda Kombëtare e Oregonit, si dhe komandantin e ri të kësaj komande (KFOR 35), kolonelin Jonathan Lloyd nga Garda Kombëtare e Louisianës, raporton Gazeta Sinjali.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani e falënderoi kolonelin Helzer për shërbimin dhe përkushtimin e tij gjatë mandatit në Kosovë, duke e vlerësuar lart kontributin e tij në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon.
Me këtë rast, ajo i ndau atij një Mirënjohje Presidenciale si shenjë respekti dhe falënderimi për angazhimin e tij të çmuar.
Në vijim të takimit, Presidentja i uroi mirëseardhje kolonelit Lloyd, duke e siguruar atë për mbështetjen e plotë të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e mandatit të tij dhe misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen më të thellë në emër të popullit të Kosovës për mbi 26 vjet të pranisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në vend si pjesë e misionit të KFOR-it, një prani që ka qenë jetike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë në rajon. Ajo vlerësoi lart përkushtimin e vazhdueshëm të ushtarakëve amerikanë në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të sigurisë së përbashkët.”, thuhet tutje në njoftimin e Presidencës.