Prishtina ka luajtur baras me rezultat 0-0 në shtëpi ndaj Gjilanit në kuadër të xhiros së 12-të në elitën e futbollit kosovar.
Pavarësisht se kjo ndeshje u karakterizua me disa raste mjaft të mira të shënimit për të dyja skuadrat, portat mbetën të paprekura për 90 minuta.
Në pjesën e parë Gjilani ia doli që të godasë shtyllën me anë të Edi Basës pas një harkimi fantastic nga Ylli Ibrahimi.
Prishtina u kundërpërgjigj duke goditur traversën me anë të Leotrim Kryeziut pas një kundërsulmi të shpejtë të kryeqytetasve.
Gjilanasit menduan se kishin fituar një penallti në pjesën e dytë pas një prekje të topit me dorë nga mbrojtësi i Prishtinës, Christopher Mamengi, por pas rishikimit të aksionit në VAR, gjyqtari Erdall Zasella e anuloi atë.
Deri në përfundim të ndeshjes vendasit tentuan që të gjejnë golin e epërsisë, por Gjilani ia doli të mbyllë me sukses të gjitha hapësirat.
Pas këtij barazimi Prishtina shkon në kuotën e 26 pikëve dhe është aktualisht lidere me tre më shumë se Ballkani në vendin e dytë që ka 23 sosh.
