Gjatë ditës së sotme shumë rrugë të kryeqytetit janë bllokuar, pasi që Komuna e Prishtinës ka vendosur të bëjë një test për shndërrimin unazës qendrore të Prishtinës në qarkore njëkahëshe për automjetet.
Megjithatë, jo gjithçka shkoi mirë dhe eksperimenti i Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, nervozoi dhe irritoi shumë qytetarë, pasi që u shkaktuan kolona të gjata dhe rrëmujë e madhe në trafik në pjesën më të madhe të qytetit. Vlen të theksohet që bllokimi i rrugëve do të vazhdojë edhe nesër.
Rrugët që që janë shndërruar në një njëkahëshe janë rruga “Agim Ramadani”, rruga “UÇK”, rruga “Migjeni”, rruga “Luan Haradinaj”, rruga “Garibaldi”, rruga “George Bush” dhe rruga “Eqrem Çabej”.
Ndërsa, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, shkroi në Facebook duke pyetur miqtë e tij dhe qytetarët për vlerësime lidhur me eksperimentin.
“Kemi nevojë për feedback! Si po ju duket qarkullimi një-kahor? Na dërgoni foto”, shkroi Zogaj.
Ndonëse qëllimi i këtij testi, ishte për ta çliruar kryeqytetin nga ngarkesat në trafik, në ditën e parë të tij, ndodhi e kundërta. Dhe nënkryetari Zogaj si dhe kryetari Rama, morën reagimet, por ato ishin pothuajse të gjitha negative.