Me rritjen e numrit të rasteve me COVID-19, është hapur edhe një qendër e re për testim në Komunën e Prishtinës. Sipas drejtori të Shëndetësisë, Izet Sadiku kjo qendër e re është hapur pas interesimit të një numri të madh të qytetarëve për testim.
Ndërsa me rritjen e numrit të infektuarve, është rritur edhe stafi punonjës për shërbime me COVID-19. Sipas drejtorit të shëndetësisë, interesimi për dozën e katërt është më i madh, krahasuar me dozat e tjera.
Ai thotë se duhet të ketë më shumë fushata sensibilizuese për t’u vaksinuar nga institucionet qendrore.
“Kam vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjare në “Xhemail Ibish”, ku është hap dhe sot kemi filluar nga ora 8:00, është qendra e dytë për testim në Komunë të Prishtinës. Kishte interesim të qytetarëve, kjo ka qenë arsyeja edhe pse ne e kemi hap edhe një qendër të dytë, duke pas parasysh se ditëve të fundit kemi pas mesatarisht mbi 300 qytetarët që kanë bërë testime në qendrën për testim në ambulancën e mjekësisë familjare në qendrën e studenteve. Kemi vendos që të krijohet një mundësi më e madhe, duke pas parasysh edhe shtrirjen e gjerë që ka qyteti, të krijohet edhe një mundësi që një pjesë e qytetarëve të jenë më afër”, tha ai.
Sipas tij, me rritjen e numrit të të infektuarve, është rritur edhe volumi i punës. Ndërsa momentalisht nga 63 punonjës shëndetësor, 27 kanë rezultuar pozitiv, të cilët janë në izolim.
“Sigurisht se po… Është larguar ai stafi qe ka qenë përkrahës për vaksinim dhe COVID, dhe ne tash me rritjen e numrit është dashur që një pjesë të stafit ta dërgojmë për shërbime për COVID, përveç vaksinimit që bëhet, pastaj edhe testimit tash që e kemi rrit stafin që bënë testime. Ne kemi edhe mjekë tanë, infermieret që janë të angazhuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, janë të ngarkuar tashmë, përveç vizitave rutinë, kanë një numër të pacienteve për 20 apo 30 % të pacientëve që bëjnë vizita janë tash persona të dyshimtë ose me COVID-19. Kjo e ka rritur volumin e punëve të punëtoreve shëndetësor, realisht kur kësaj i shtohet periudha që ne jemi në një periudhe të verës, ku njerëzit detyrohen t’i përfundojnë pushimet sepse që dy vite punëtorët shëndetësor kanë qenë pa pushime. Është edhe një numër i stafit, i cili është i infektuar dhe janë të izoluar, momentalisht kemi 27 punëtor shëndetësor që janë në izolim për shkak se kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, nga 63 sa kemi pas gjatë muajve të fundit. Dhe të gjitha këto e vështirësojnë punën në dhënien e shërbimeve duke pas parasysh që ne vazhdojmë të japim edhe shërbime tjera, të cilat i japin Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë”, tha ai.
Ai tha se interesimi për dozën e katërt është më i madh, krahasuar me dozat e tjera, mirëpo i ulët në krahasim me popullsinë në vend.
“Interesimi për dozën e katërt është më shumë se për dozat e tjera, por prapë është i vogël. Ne mesatarisht për javën e fundit kemi pas rreth 30 doza në ditë që merren në Prishtine dhe ky është numër shumë i vogël, duke pas parasysh që 45 % e popullsisë janë të vaksinuar”, tha ai.
Më tej, Sadiku shtoi se vaksinimi është forma më e mirë për parandalim apo futjen në kontroll të pandemisë COVID-19, ndërsa kërkon nga institucionet qendrore që të bëjnë më shumë fushata sensibilizuese për t’i bindur qytetarët të vaksinohen.
“Do duhej që qytetaret të vaksinohen për arsyeje se vaksinimi e ka ndryshuar situatën me COVID-19. E vetmja masë për me fut në kontroll pandeminë COVID-19, do të ishte vaksinimi i qytetareve, prandaj mendoj që duhet bërë apel njerëzve dhe më pas fushata sensibilizuese, të cilat i ftojnë dhe i bindin qytetarët që të vaksinohen”, tha ai./KP/