Shqiptimi i gjobave për thyerjen e rregullave në trafik bëhen shpeshherë shkas që shoferët të revoltohen dhe t’i pengojnë zyrtarët policorë
. Përpos ofendimeve, ata eskalojnë edhe në kërcënime dhe sulme fizike, duke ua vështirësuar kryerjen e detyrave.
Një rast i tillë ka ndodhur sot paradite në “Rrugën e Ulqinit” në Prizren, ku Policia e Trafikut ka ndalur një veturë, shoferi i së cilës nuk posedonte dokumentet e nevojshme.
Kjo i kushtoi të dyshuarit, me ç’rast zyrtarët policorë ia shqiptuan një tiketë për kundërvajtje në trafik. I revoltuar pse u gjobit, i riu A.K, po dyshohet se ka tentuar të ikë dhe për pasojë ka marrë lëndime një zyrtar policor.
Për ta vënë situatën nën kontroll, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka dhënë deklaratën e tij lidhur me atë që ka ndodhur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj të dyshuarit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.