Profesori amerikan me kritika për Qeverinë: Çështja e dinarit ishte një gabim trashanik

Profesori amerikan me kritika për Qeverinë: Çështja e dinarit ishte një gabim trashanik

Dështimi i Kosovës së fundmi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, sipas profesorit amerikan, Edward P. Joseph nxjerr në pah një situatë të brishtë për konsolidimin e saj ndërkombëtar.

Eksperti dhe ligjëruesi nga Universiteti “Johns Hopkins”, Edward P. Joseph i tha Zërit të Amerikës se institucionet e Kosovës duhet të riparojnë marrëdhëniet me aleatët perëndimorë duke përmbushur kërkesat që i janë parashtruar.

Mungesa e mbështetjes për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës është shembulli i fundit i vështirësive dhe paqartësive që rrethojnë konsolidimin e pozitës së Kosovës në komunitetin ndërkombëtar si dhe marrëdhëniet me aleatët e saj.

Njohësit e zhvillimeve në Kosovë i thanë Zërit të Amerikës se Kosova dhe aleatët e saj duhet të rishqyrtojnë strategjinë aktuale, e cila përqendrohet në dialogun dhe marrëveshjet që dalin nga ai.

Eksperti nga Shkolla për Studime të Avancuara Ndërkombëtare pranë Universitetit Johns Hopkins, Edward P. Joseph thotë se udhëheqësit e Kosovës duhet të heqin dorë nga politikat përçarëse me bashkësinë ndërkombëtare dhe komunitetin serb në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës duhet të përqendrohet në mbrojtjen e interesave strategjike të Kosovës, në avancimin e tyre, dhe jo te disa interesa politike që përçajnë dhe polarizojnë shoqërinë dhe krijojnë një klimë populiste, duke përkeqësuar marrëdhëniet me serbët e Kosovës dhe shtuar tensionet me ta. Është qasje plotësisht e gabuar. Çështja e dinarit ishte një gabim trashanik. Fiasko e plotë. Ka edhe veprime tjera provokuese…dhe duhet të marrin fund. Këshilli i Evropës është një mundësi e rëndësishme dhe Kosova nuk duhet ta humbasë atë”, thotë zoti Joseph.

Ai vlerëson se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë në pikën më të ulët dhe se nuk është në interesin e Kosovës t’i trajtojë me shkujdes marrëdhëniet e saj me aleatët kryesorë.

“Kjo është pika më e ulët në marrëdhëniet (ndërmjet dy vendeve). Unë kam qenë i angazhuar në Ballkan që nga viti 1999, kur menaxhoja kampet e refugjatëve në Stankovec… Kemi punuar shumë dhe e dimë sa e vështirë ishte. Marrëdhëniet SHBA-Kosovë nuk janë vetëm marrëdhënie teknike politike, janë një lidhje e thellë që vazhdon të ketë pasoja politike. Putini dhe Xi Jinping-u ende flasin për vitin 1999 dhe ndërhyrjen e NATO-s, nuk e kanë harruar. Ishte një hap i madh që Shtetet e Bashkuara bënë për të ndërhyrë. Dhe të shohësh këto marrëdhënie të trajtohen në një formë kaq të shkujdeshme për të fituar ca pikë se gjoja nuk kemi më nevojë t’i dëgjojmë Shtetet e Bashkuara. Përse? SHBA nuk janë diktator i tipit të Rusisë që po mundohet të minojë sovranitetin e Kosovës. Shtetet e Bashkuara janë përkrahëse të Kosovës. Nuk është në interesin e Kosovës. Në këtë botë të ndërlikuar dhe të rrezikshme, Kosovës i duhen miq të fuqishëm dhe ata duhet respektuar”, thotë zoti Joseph.

Related Articles