Të gjithë e thërrasin Levandovski, por emrin e vërtet e ka Albon Rrahmani, shkruan Gazeta Enigma.
Por, kjo nofkë i ka mbetur lojtarit të Ballkanit për shkak të stilit të lojës së njëjtë me sulmuesin polak të Barcelonës, por edhe për numrin e madh të golave të shënuar.
Rrahmani, sivjet është golashënuesi ma i mirë i eliminatoreve të Conference League, me 7 gola të konkretizuar, por e ka nisur me gola edhe sezonin e ri të Albi Mall Superligës.
‘’Levandovski’’ ka shënuar golin e fitores ndaj Prishtinës më 4 shtator në stadiumin ‘’Fadil Vokrri’’ duka ia siguruar tri pikë skuadrës nga Suhareka që është kampion aktual.
Sulmuesi 21-vjeçar nga Podujeva pos performancës së mirë në garat evropiane, është vërshuar edhe nga ofertat nga klube të ndryshme ndërkombëtare.
Megjithëkëtë, ai nuk ishte dorëzuar, ndonëse vitin e kaluar ishte aktivizuar fare pak në ndeshjet e Superligës.
Por, cili është rrugëtimi i Rrahmanit si futbollist?
Shtatgjati Rrahmani, gjatë një interviste në KTV ka treguar se futboll ka filluar të luaj qysh si i vogël.
‘’Qysh i vogël kam qenë te gjitha kategoritë të klubi futbollistit i Llapit, deri të U 19 ku aty jemi shpallë kampion në vitin e fundit dhe pas atij rrugëtimi kam vazhduar në Ligën e Dytë të Kosovës tek skuadra e Minatorit të Magurës, ku trajner ka qenë Farkuk Statovci të cilin e falënderoi shumë, ai ka shumë merita për rrugëtimin tim në futboll’’, tha Rrahmani.
Kështu, falë golave me bollëk, ai në Ligën e Dytë ka qenë golashënuesi ma i mirë dhe në sezonin e dytë pastaj ka vazhduar karrierën te Bashkimi i Koretinit, ku i ka zhvilluar vetëm dy ndeshje, por ishte ndërprerë kampionati për shkak të COVID-it.
‘’Pastaj pasi ka filluar sezoni i ri, kam folur me klubin e Malishevës ku kam luajtur për një vit dhe kam bërë një vit shumë të mirë dhe tash jam te Ballkani’’, rrëfen Rrahmani.
Ndërsa FC Ballkani ka bërë histori në futbollin e Kosovës do të takohet me skuadrën e famshme rumune, CFR Cluj në Ligën e Konferencës.
Përballja e parë për Ballkanin do të jetë në tempullin “Fadil Vokrri” më 8 shtator, me fillim nga ora 18:45,
Rrahmani thotë se ‘’jemi gati për fazë e grupeve, shpresoj që mos të lëndohet asnjë lojtarë’’.
Për golat e shumtë të shënuar, ai i falënderohet bashkëlojtareve.
‘’Po mos të ishte ekipi nuk do të isha as unë golashënuesi ma i mirë, pasi që të gjitha asistent i kam marr afër zonës, Ballkani ka lojtarë shumë cilësor, Ballkani nuk e ka problem për pasin e fundit’’.
Por, ndihmë të madhe për t’u formuar si lojtar, thotë se i dha edhe babai që dikur ishte futbollist.
‘’Babi qysh i vogël më ka qëndruar afër me këshilla dhe gjitha gjërat që ai i di, sa herë jam dëshpëruar ka qenë gjithmonë ai që më ka ndihmuar. Ai më ka thënë që vetëm me punë arrihen gjitha. Kam punuar shumë individualisht me të’’, shtoi Rrahmani.
Kur pyetet për ofertat, Rrahmani e pranon që ka interesim për të, por nuk i përmend emrat e skuadrave.
‘’Ka pasur interesime, por zyrtare akoma asgjë, nuk jam duke u marr me këtë, pasi e kam edhe një menaxher. Nuk mundem ta zbulojë prej kujt kam pas oferta, pasi akoma nuk është zyrtare’’, potencoi sulmuesi llapjan. /Gazeta Enigma/