Prokurori i specializuar, Alex Whiting, në seancën e sotme gjyqësore deklaroi se ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kryen krime lufte për të fituar pushtet gjatë luftës, raporton Gazeta Enigma.
“Provat, do të tregojnë që katër të akuzuarit në rolin e tyre si udhëheqës të lartë në shtabin e përgjithshëm, mbështetën dhe zbatuan një politikë e cila vinte në shënjestër ata persona që konsideroheshin prej tyre si kundërshtarë, përfshirë ata që akuzoheshin si kolaboracionistë; shpesh mbështetur nga asgjë, përpos lidhjeve me institucionet serbe si dhe personat e përceptuar si jombështetës të qëllimeve apo mjeteve të UÇK-së dhe më vonë të qeverisë së Kosovës. Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit gjatë periudhës së aktakuzës synonte burgosjen, keqtrajtimin dhe torturimin dhe ndonjëherë vdekjen e kundërshtarëve”, ka thënë ai.
LEXO EDHE: Prokuroria: Motivi i kryerjes së krimeve nga Thaçi e të tjerët, fitimi i pushtetit
Prokurori tutje ka thënë që aktakuza përfshin me qindra burgosje në mbarë Kosovën dhe në mbi 100 vrasje – ku shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës.
“Sjellja kriminale të cilën prokuroria synon ta vërtetojë, është në fakt mjaft e thjeshtë. Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së ku katër të akuzuarit ishin ata më të rëndësishmit përqafojnë në komunikimet dhe deklaratat e veta një politikë të shprehur shumë qartë të shënjestrimit të atyre që përceptoheshin si tradhtarë, përfshirë edhe kundërshtarët politikë. Katër të akuzuarit, u përfshinë në artikulimin dhe në zbatimin e kësaj politike, edhe duke caktuar edhe mbikqyrjen e komandantëve dhe strukturave që u vunë në jetë”, tha ai.