Prokuroria deklarohet për të shtënat me armë para ministrisë së Industrisë

Prokuroria deklarohet për të shtënat me armë para ministrisë së Industrisë

Një rast i gjuajtjes me armë zjarri ka ndodhur dje në rrugën “Arbnor dhe Astrit Dehari” në Prishtinë.

Rasti ka ndodhur para Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Lajmin e ka konfrimuar zëdhënsja e policisë, Flora Ahmeti. Lidhur me rastin, Ahmeti tha se  janë ngritur dyshimet se një person i dyshuar nga një motoçikletë në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture.

“Rreth orës 15:40, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën Arbnor dhe Astrit Dehari në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një person i dyshuar, nga një motoçikletë në lëvizje ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture. Nuk raportohet për persona të lënduar. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit i cili është cilësuar vrasje në tentativë”, ka bërë të ditur policia.

Për këtë rast sot janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, tha se rasti tashmë është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.

“Ju njoftojmë se prokurori kujdestar ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë” dhe në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të identifikimit të dyshuarve, si dhe ndriçimit të të gjitha rrethanave të kësaj çështje penale”, potencoi Ulaj.

Related Articles