Besim Kelmendi, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, sot ka zhvilluar një takim me të gjithë kryeprokurorët e prokurorive themelore, kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, si dhe kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, ku të pranishëm ishin edhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të cilët monitorojnë prokuroritë përkatëse.
Në lidhje me takimin e zhvilluar prokuroria jep detaje, ku sipas njoftimit të tyre në fillim të takimit, Kelmendi është interesuar për gjendjen në secilën prokurori, me ç’rast u njoftua për së afërmi nga kryeprokurorët për numrin e prokurorëve në prokuroritë që ata i drejtojnë, për rezultatet, të arriturat, sfidat dhe çështjet tjera me rëndësi
“Gjatë diskutimeve të përbashkëta u theksua nevoja për plotësimin e vendeve të përcaktuara me prokurorë të rinj si dhe rekrutimin e stafit mbështetës në mënyrë që të avancohet efikasiteti dhe efektiviteti në trajtimin e lëndëve penale në secilën prokurori”.
“Po ashtu, pjesë thelbësore e këtij takimi ishte diskutimi lidhur me rritjen e efikasitetit dhe zbatimin sa më unik të praktikave gjatë trajtimit të regjistrave penal, përkatësisht lëndëve penale me PP, PPN dhe PPP nga ana e prokurorëve, dhe trajtimi sipas afateve ligjore i ankesave të qytetarëve për rastet disiplinore ndaj prokurorëve”, thuhet në njoftim.
Në fund të takimit, Kelmendi, iu ka ofruar bashkëpunim të ngushtë të gjithë kryeprokurorëve në adresimin dhe tejkalimin e të gjitha sfidave institucionale./Gazeta Enigma/