Prokuroria hedh poshtë kallëzimin ndaj Pacollit, për incidentin me Agim Pllashnikun

Prokuroria hedh poshtë kallëzimin ndaj Pacollit, për incidentin me Agim Pllashnikun

Avokati Gent Gjini, mbrojtës i Agim Pllashnikut, ka njoftuar se Prokuroria ka hedhur poshtë kallëzimin penal të bërë ndaj ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli.

Pllashniku kishte paraqitur kallëzim penal ndaj Pacollit për veprën e dyshuar të sulmit, pas një incidenti të ndodhur më 25 korrik 2025, në kohën kur ajo ishte deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas avokatit Gjini, vendimi për hedhjen poshtë të kallëzimit është marrë pavarësisht provave që, sipas tij, dëshmojnë të kundërtën.

“Përkundër faktit, provës me pamje video, e cila tregon dhe dëshmon se si Fitore Pacolli e kërcënon dhe e shtyen asistentin e saj që ta sulmojë Agim Pllashnikun, kjo provë është vleresuar irelevante”, ka thënë Gjini, duke e cilësuar vendimin si drejtësi selektive.

Ai ka ngritur dyshime se mosndjekja e rastit lidhet me faktin se Pacolli është pjesë e Qeverisë Kurti.

“Në këtë çështje nuk është marrë në pyetje e pandehura Fitore Pacolli dhe asistenti i saj, përkundër obligimit ligjor të përcaktuar me procedurën penale. Pra vetëm me një vlerësim subjektiv të Prokurorisë kjo çështje është mbyllur me kaq”, ka deklaruar më tej Gjini.

Në aktvendimin për hedhjen e kallëzimit penal, prokurori Kushtrim Zeka ka theksuar se në videon ku shihen Pllashniku dhe Pacolli në një lokal vërehet një diskutim mes tyre, por jo kontakt fizik.

Sipas arsyetimit të prokurorisë, në incident ka pasur debat me tone të larta, por në asnjë moment nuk është konstatuar kontakt fizik mes palëve.

Pas ngjarjes së 25 korrikut 2025, Pacolli e kishte cilësuar incidentin me Pllashnikun si “akt i rëndë kërcënimi dhe sulmi verbal”.

Ajo kishte deklaruar se incidenti nuk ishte spontan, por i organizuar dhe i mirëkoordinuar.

Related Articles