Rasti i vrasjes së policit, Lirim Haxholli në një ndejë ku morën pjesë edhe 14 policë të tjerë, akoma është duke u trajtuar nga Prokuroria. Megjithatë, nga ky institucion kanë bërë të ditur se janë në përfundim të përpilimit të aktakuzës për këtë rast..
Haxholli mbeti i vrarë në shkurt të këtij viti, në një aheng ku morën pjesë edhe 14 policë të tjerë.
I dyshuar vrasjen është kolegu i Haxhollit, Fatlum Mehmeti, i cili deri tash ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur në mënyrë aksidentale.
Lënda e Mehmetit është veçuar nga ajo e 14 zyrtarëve të tjerë policor.
“Kjo Prokurori është duke zhvilluar dy procedura paralelisht me njëra tjetrën. Njëra në Departamentin e Krimeve të Rënda, njëra në Departamentin e Përgjithshëm. Që nga fillimi i këtij rasti, Prokurori i shtetit ka ndërmarrë disa veprime hetimore në koordinim të plotë edhe me Policinë dhe me Institucionet e tjera relevante dhe mund të themi që është afër finalizimit të këtyre hetimeve”, ka thënë Laureta Ulaj nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Lidhur me këtë rast, nga prokurori është duke u pritur edhe një ekzaminim i fundit, para ngritjes së aktakuzës.
Nga ana tjetër, avokati i Mehmetit, Labinot Buzuku, pret që klienti i tij të akuzohet për vrasje nga pakujdesia.
“Besoj se me të gjitha provat që janë do të ngritët një aktakuzë e cila është vrasje nga pakujdesia, pasi që të gjitha rrethanat qojnë deri tek një vrasje nga pakujdesia. Vlen të ceket se në rastin konkret nuk ka pasur dashje, nuk ka pasur asnjëherë ndonjë ngatërresë ndërmjet dorasit dhe të ndjerit”, ka thënë Buzuku.
Lënda e policëve të tjerë, Dukagjini mëson se përmban dyshime për veprat penale përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe moslajmërim i veprës penale.
Atyre u është veçuar lënda, pasi nga prokurori i rastit ata janë përdorur edhe si dëshmitar.
Inspektorati Policor i Kosovës ia ka konfirmuar Televizionit se të gjithë policët, që prej shkurtit janë të suspenduar.