Prokuroria rekomandon që serbi që sulmoi KFOR-in të dënohet me dy vjet burgim dhe 9 mijë euro gjobë

Prokuroria rekomandon që serbi që sulmoi KFOR-in të dënohet me dy vjet burgim dhe 9 mijë euro gjobë

Është mbajtur seanca gjyqësore ndaj serbit Marko Dantiq, i akuzuar për sulm ndaj KFOR-it në Zveçan më 29 maj 2023.

Prokuroria ka rekomanduar qe të njëjtit për dy vepra penale t’i shqiptohet dënim prej dy vitesh burgim efektiv dhe gjashtë muaj të cilat mund të zëvendësohen me nëntë mijë euro gjobë.

Në seancë gjyqësore, gjyqtari Valon Kurtaj tha se është arritur një marrëveshje mes prokurorisë dhe të pandehurit për pranimin e fajësisë për dy vepra penale.

Prokurori special, Bekim Kodraliu, tha se me të pandehurin dhe me prezencën e avokatit të tij kanë arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

“I pandehuri në këtë marrëveshje ka hyrë me vullnet të lirë dhe pas konsultimit të mjaftueshëm me avokatin e tij kemi arritur marrëveshjen për pranimin fajësisë për këto dy vepra penale, e që për veprën penale ‘sulm ndaj personit zyrtar e kryer në bashkëkryerje’ kemi rekomanduar që t’i shqiptohet dënim me burg efektiv prej dy vitesh ku në kuadër të këtij dënimi do t’i llogaritet edhe koha e paraburgimit nga data 15.11.2024. Ndërsa për veprën tjetër penale për pjesëmarrje në turmë është kryer vepër penale dhe huliganizëm, t’i shqiptohet dënim me burg prej gjashtë muajsh me mundësi zëvendësimi me gjobë me shumën prej 9 mijë euro”, tha prokurori special.

Gjyqtari Valon Kurtaj tha se kjo marrëveshje aprovohet, e po ashtu edhe dënimi i të akuzuarit.

Dantiq ishte përfshirë në sulmin ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023.

Atë ditë, të lënduar kishin mbetur rreth 30 ushtarë të KFOR-it gjatë tentimeve për t’i shpërndarë protestuesit e grumbulluar pranë objektit komunal në Zveçan.

Related Articles