Prokuroria Speciale e Kosovës ka shprehur “indinjatë të thellë ndaj qasjes së vazhdueshme joproduktive” të kryeministrit Albin Kurti ndaj ndaj këtij organi, pasi Kurti tha se kjo prokurori duhet të jetë më efikase në ndjekjen e kriminelëve të luftës, njofton Gazeta Enigma.
“Prokuroria Speciale potencon fuqishëm se komentet e vazhdueshme të Kryeministrit të Kosovës për punën e Prokurorisë Speciale janë në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe standardeve ndërkombëtare për pavarësinë e Gjyqësorit. Andaj, si të tilla e minojnë besimin e publikut në punën e Prokurorit të Shtetit në përgjithësi dhe të Prokurorisë Speciale në veçanti”, thuhet në reagimin e PSRKS-së.
Tutje Prokuroria tha se përkundër “kapacitete të pamjaftueshme të kuadrove, profesionale dhe financiare, si pasojë e buxhetit të pamjaftueshëm”, në pesë vitet e fundit, që nga koha kur kjo prokurori ka marrë kompetencat për hetimin e krimeve të luftës, “ka bërë punë jashtëzakonisht të madhe në bashkëpunim të plotë me institucionet ligj zbatuese”.
“KPK sjell në vëmendje të opinionit publik se në 20 vjetët e fundit, asnjëherë nuk është miratuar kërkesa buxhetore e plotë (në lartësinë 100% të kërkesës)”.
Prokuroria gjithashtu tha se korniza ligjore për hetimin e krimeve të luftës ka ndryshuar shumë në pesë vjetët e fundit dhe se ky ndryshim ka paraqitur sfidë për një proces efikas dhe efektiv në hetimin e krimeve të luftës.
“Këtë sfidë nuk e kanë shtetet e tjera në regjion. Shtetet si Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina kanë miratuar strategjitë nacionale në nivel të qeverive dhe parlamenteve të vendeve të tyre për adresimin e krimeve të luftës. Ne ende nuk e kemi një strategji të tillë në nivel nacional”.
“Edhe me këto resurse të pamjaftueshme, si ligjore ashtu edhe financiare, njoftojmë opinionin publik se Prokuroria Speciale, aktualisht, ka të regjistruara gjithsej 60 aktakuza për krime të luftës për 56 raste, ndaj 165 personave”, thuhet tutje në reagim.
Prokuroria Speciale i bëri thirrje publike kryeministrit Kurti dhe çdo zyrtari tjetër shtetëror që të shmangë deklarimet publike, “të cilat nuk përkojnë me gjendjen reale”.
“Krimet e luftës nuk parashkruhen (vjetërsohen), andaj edhe ne nuk do të ndalemi duke punuar në të gjitha rastet qe i kemi lidhur me këto vepra penale”, përfundon reagimi. /Gazeta Engima