Gjatë ditës së djeshme u raportua se kandidati për kryetar të Zubin Potokut nga radhët e Listës Serbe, Millosh Peroviq dyshohet se ka qenë pjesë e grupit terrorist të Millan Radoiçiq më 24-shtator gjatë sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Nga Prokuroria Speciale kanë thënë se Peroviq nuk është nën hetime dhe nuk është identifikuar si i dyshuar në rastin që lidhet me sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton se personi për të cilin bëhet fjalë nuk është nën hetime dhe nuk është identifikuar si i dyshuar në rastin që lidhet me sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për Reporterin.
Tutje, Prokuroria Speciale thekson se hetimet për këtë rast po zhvillohen në mënyrë profesionale, të mbështetura vetëm në prova dhe në përputhje të plotë me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
“Hetimet për këtë rast po zhvillohen në mënyrë profesionale, të mbështetura vetëm në prova dhe në përputhje të plotë me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale rithekson përkushtimin e saj për të garantuar një proces të drejtë dhe të ligjshëm në çdo rast, duke shmangur çdo formë të keqinformimit apo supozimeve që nuk bazohen në fakte të verifikuara.
Për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me këtë rast, publiku do të njoftohet në kohë dhe në përputhje me procedurat ligjore”, thuhet në përgjigje.
Të mërkurën janë bërë dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë të cilin e kishte pranuar vetë se e kishte udhëhequr Milan Radoiçiq.
Ai bashkë me dhjetëra pjesëmarrës të sulmit të Banjskës vazhdojnë të qëndrojnë në Serbi, ndërsa 3 prej tyre gjenden në paraburgim në Kosovë.