Prokuroria Speciale konfirmon intervistimin e ambasadorit Martin Berishaj – po hetohet për tri vepra penale

Prokuroria Speciale konfirmon intervistimin e ambasadorit Martin Berishaj – po hetohet për tri vepra penale

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar për Gazeta “Enigma” se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar të enjten në kuadër të një hetimi penal që po zhvillohet ndaj tij.

Në përgjigje ndaj kërkesës sonë, Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet ndaj Berishajt lidhen me tri vepra të dyshuara penale: Shpëlarje e parave, Shmangie nga tatimi, Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

”  Referuar kërkesës suaj, mund të konfirmojmë se z.Martin Berishaj është intervistuar të enjten nga Prokuroria Speciale, në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar ndaj tij lidhur me veprat penale “Shpëlarje e parave”, “Shmangie nga Tatimi” dhe “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave , i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, thuhet në përgjigjjen e Prokurorisë Speciale për “Enigmën”.

Ky zhvillim vjen pas raportimeve të shumta në media lidhur me një aferë të dyshuar financiare në të cilën emri i Berishajt është përmendur në Slloveni.

Për këtë, është deklaruar edhe avokati Tomë Gashi, i cili tha se Berishaj ka dhënë vetëm deklaratë sqaruese për t’i ndihmuar Prokurorisë për të eleminuar çdo dyshim.

“Për t’i ndihmuar Prokurorisë Speciale të Kosovës, sot z. Martin Berishaj ka dhënë një deklaratë sqaruese, me të cilën besojmë se i ka ndihmuar Prokurorisë për të eliminuar çdo dyshim rreth aferës së ndërtuar nga një gazetar serb, i afërt me shërbimin sekret të Serbisë, me qëllim të dëmtimit të reputacionit të profesorit Martin Berishaj – i cili është “halë në sy” për Serbinë dhe për disa të tjerë që, me vetëdije apo pa vetëdije, shtyjnë përpara agjendat e saj. Ne e falënderojmë Prokurorinë, e cila besojmë se tashmë e ka të kristal qartë se Martin Berishaj ka qenë viktimë e një dëmtimi kolateral nga ata që, në mënyrë patologjike, e urrejnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe, në veçanti, kryeministrin më të mirë që Kosova ka pasur ndonjëherë – z. Albin Kurti”, ka shkruar Gashi.

Related Articles