Prokuroria Speciale nis grumbullimin e informacioneve për dy kosovarët që u nisën drejt Ukrainës

Prokuroria Speciale nis grumbullimin e informacioneve për dy kosovarët që u nisën drejt Ukrainës

Prokuroria Speciale në Kosovë ka nisur grumbullimin e informacioneve për dy kosovarët të cilët pretendohet se janë nga Suhareka dhe janë nisur drejt Ukrainës për të luftuar.

Kryeprokurori Special, Blerim Isufaj në një bisedë për Gazetën Enigma ka konfirmuar se tashmë ka nisur puna për këtë çështje.

“Në secilin rast kur dyshojmë për ndonjë krim që mund të jenë kompetent për këto informacione sikur që po punojmë edhe në këtë rast. Kjo është një periudhë të cilën nuk mund të them më shumë. Ne vetëm e trajtojmë si rast të  e shohim tutje çka”, ka thënë Kryeprokurori Special, Blerim Isufaj për Gazetën Enigma.

Isufaj ka theksuar se ligji u ndalon qytetarëve të Kosovës pjesëmarrjen në luftëra në vendet tjera.

“Ligji e ndalon pjesëmarrjen”, u përgjigj shkurt Isufaj.

Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës të cilët kanë thënë se janë duke grumbulluar informacione për këtë rast.

“Ju njoftojmë se njësia relevante e Policisë së Kosovës është në fazën e grumbullimit dhe verifikimit të informacionit në fjalë, dhe bazuar në kodin e procedurës penale do të bashkëpunohet me prokurorinë përkatëse lidhur me këtë çështje”, kanë thënë nga Policia e Kosovës

Dy kosovarë kanë pretenduar se ishin nisur drejtë Ukrainës për t’iu bashkangjitur ushtrisë ukrainase e cila tasht e 14 ditë është në luftë me Rusinë.

Mediat gjatë ditës së sotme kanë raportuar se të njëjtit nuk kanë arritur që të futën në Ukrainë dhe janë kthyer mbrapsht.

Janë bërë gati 7 vite prej kur Kuvendi i Kosovës nxori një ligj i cili ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të vendit në lufta jashtë territorit tonë. Atë kohë, synohej ndalimi i pjesëmarrjes në konfliktet e armatosura në lindje të mesme ku disa organizata terroriste luftonin kundër perëndimit.

“Kushdo që merr pjesë në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht , në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite”, thuhet në paragrafin 3 të nenit 3 të këtij Ligji./GazetaEnigma/

Related Articles