Ish-kryenegociatorja për bisedime teknike në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, pikat e propozuara nga kryeministri Albin Kurti në takimin në Bruksel me palën serbe lidhur me dialogun, i ka quajtur të dobëta.
Në Interaktiv ajo ka thënë se sot Kurti e ka dëmtuar Kosovën.
“Ishin katër pika shumë të dobëta, mu duk si nxënës i klasës së parë fillore. Besoj se do ta marrë veten sepse kështu nuk mund ta çojë përpara interesin e Kosovës. Sot e ka dëmtuar Kosovën”, ka thënë ajo.
Sipas Tahirit, pikë e parë në këto bisedime do të duhet të ishte njohja reciproke dhe më pas reparacionet e luftës. Si pikë e tretë, shtoi ajo, do të duhej të përmendej gjenocidi i Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Është shumë i rëndësishëm takimi i parë dhe si pozicionohen palët. Karta e parë duhej të ishte njohja, pastaj reparacionet e luftës. E treta të përmendej gjenocidi në platformë, t’i kujtohej Serbisë pasi ka tendencë ta harrojë. Duhej të kërkohej edhe suksesioni, pasuria që i takon Kosovës nga ish-Jugosllavia, ku ka qenë njësi federale. E fundit natyrisht, ajo që ka përmendur të pagjeturit është në rregull, por ka harruar gratë e dhunuara, dhjetëra mijëra shqiptarë të torturuar, të abuzuar, dhe një milion të dëbuar në kohë lufte”, ka thënë ajo.