Gjatë ditës së djeshme, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës raportin e studimit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, i paraparë në njërën nga pikat e Marrëveshjes së 4 shtatorit në Washington.
Raporti propozon formimin e një komisioni për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.
Qeveria e Kosovës dhe e Serbisë ende nuk kanë bërë ndonjë koment për studimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për liqenin e Ujmanit dhe përdorimin e ujit të lumit Ibër.
Gjeologu Valbon Bytyqi thotë se liqeni i Ujmanit është në një kontekst tjetër për dallim nga marrëveshja mes Amerikës dhe Kanadasë. Megjithatë sipas tij mund të nxirren mësime të mira nga ajo marrëveshje.
“Kufiri Kanada-SHBA, më shumë i bashkon shtetet se që i ndanë. Kufiri atje është krejtësisht formal, derisa te ne Ujmani dhe kufijtë tjerë me Serbinë janë çështje gjeopolitike”, deklaroi Bytyqi.
Nga ana tjetër njohësi i çështjeve politike Seb Bytyçi thotë se në çështjen e Ujmanit, Kosova ka një avantazh nga Serbia.
“Kosova në këtë çështje ka një avantazh, pasi që shtetet që kanë lartësi më të madhe mbidetare kanë përparësi në menaxhimin e lumenjve pasi kontrollojnë rrjedhën e lumenjve…Nëse bëhet një marrëveshje do të ndërtohen diga të reja nga Serbia në rrjedhën e Ibrit, por që do të paguante benificione për Kosovën që është në rrjedhën e epërme të Ibrit”, deklaroi Seb Bytyçi.
Ujmani është liqen artificial që shtrihet në veriperëndim të Kosovës dhe një pjesë e vogël e liqenit kalon në territorin e Serbisë.