Defilimi me vetura pas protestës së së premtes mbrëma në Prishtinë ka shkaktuar kolona dhe, sipas Policisë, edhe vozitje të rrezikshme që kanë rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik dhe vetë protestuesit.
Protesta, e cila u mbajt në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, fillimisht u zhvillua në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa më pas një pjesë e qytetarëve u zhvendosën para objektit të EULEX-it.
Gjatë protestës nuk është raportuar për ndonjë incident në aspektin e sigurisë.
Rreth orës 23:30, pjesëmarrësit nisën të shpërndaheshin në mënyrë të qetë, por një numër i tyre vazhduan drejt bazës së EULEX-it, ku qëndruan për rreth 30 minuta.
Më pas, ata u nisën drejt kryeqytetit dhe me automjetet e tyre vazhduan të defilonin nëpër disa rrugë të Prishtinës.
“Rreth orës 23:30 pjesëmarrësit kanë filluar të shpërndahen në mënyrë të qetë, mirëpo një numër i caktuar i tyre kanë vazhduar të zhvendosen në drejtim të bazës së EULEX-it, për të vazhduar me protestën para objektit të këtij institucioni. Pjesëmarrësit kanë qëndruar rreth 30 minuta pranë objektit të EULEX-it, dhe më pas janë nisur në drejtim të kryeqytetit, ku me automjetet e tyre kanë vazhduar të defilojnë nëpër disa rrugë të kryeqytetit. Defilimet e tyre me vetura përveç krijimit të kolonave në trafik, kanë kryer edhe vozitje të rrezikshme, madje edhe kanë shkaktuar rrezik për pjesëmarrësit e tjerë në trafik, por edhe për veten e tyre”, ka njoftuar Policia në komunikatë.
Për shkak të kolonave, Policia ka ndërmarrë masa shtesë në trafik, duke ndërprerë dhe riorientuar përkohësisht qarkullimin, me qëllim të shmangies së bllokimeve dhe aksidenteve të mundshme.
Sipas Policisë, vozitjet e rrezikshme dhe të pakujdesshme kanë zgjatur deri në orët e vona pas mesnatës.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar, të mos dëmtojnë pronën publike e private dhe të respektojnë ligjet, në veçanti rregullat e trafikut rrugor.
