Prokuroria e Hagës: Mandati i ZPS përfundon kur BE e njofton Kosovën se hetimet dhe procedurat që rrjedhin prej tyre janë mbyllur

Prokuroria e Hagës: Mandati i ZPS përfundon kur BE e njofton Kosovën se hetimet dhe procedurat që rrjedhin prej tyre janë mbyllur

Fundi i epokës së proceseve ndërkombëtare për krimet e luftës, sfida kalon te gjykatat vendëse

Dënimi në shkallë të parë i katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vjen në një periudhë kur proceset e mëdha ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi po i afrohen fundit. Njohës të drejtësisë tranzicionale vlerësojnë se në të ardhmen barra kryesore për trajtimin e rasteve të mbetura do të kalojë te gjykatat vendëse.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dënuan më 16 shtator ish-presidentin Hashim Thaçi për krime lufte të viteve 1998-99, ndërsa e liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Aktgjykimi ndaj Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit nuk është i formës së prerë dhe mund të apelohet.

Megjithatë, përfundimi eventual i këtij procesi nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe përfundim i mandatit të Gjykatës Speciale. Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Chris Bennett, ka thënë se mandati vazhdon derisa Këshilli i Bashkimit Evropian t’i njoftojë institucionet e Kosovës se hetimet dhe procedurat që rrjedhin prej tyre kanë përfunduar.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, e konsideron problematike mungesën e bashkëpunimit juridik mes vendeve të ish-Jugosllavisë. Sipas tij, kjo pengon gjykimin e të dyshuarve në praninë e tyre dhe zbatimin efektiv të drejtësisë.

Në Kosovë, pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, nga viti 2022 janë mundësuar edhe gjykimet në mungesë. Sipas FDHK-së, deri në shkurt të vitit 2025 ishin ngritur 15 aktakuza në mungesë ndaj 73 pjesëtarëve të forcave serbe. Blakaj e sheh rritjen e numrit të rasteve si zhvillim pozitiv, por paralajmëron se familjet e viktimave mund të zhgënjehen nëse të dënuarit nuk përfundojnë duke vuajtur dënimet.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i themeluar nga Qeveria më 2023, thotë se ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës, shumica dërrmuese shqiptarë të vrarë nga forcat serbe.

Historiania Iva Vukushiq nga Universiteti i Utrehtit vlerëson se proceset për krimet e luftës në ish-Jugosllavi sot marrin dukshëm më pak vëmendje ndërkombëtare sesa më parë. Sipas saj, mundësitë për krijimin e tribunaleve të reja të posaçme janë zvogëluar, ndërsa shtetet e rajonit duhet të forcojnë sistemet e tyre të drejtësisë.

Rezultatet në Ballkan ndërkohë ndryshojnë ndjeshëm. Bosnje e Hercegovina veçohet për numrin më të madh të proceseve: nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024 janë përfunduar 773 raste ndaj 1.209 të akuzuarve, ndërsa në 499 raste janë dhënë vendime dënuese të formës së prerë. Në Kroaci janë ngritur aktakuza ndaj 2.185 personave që nga viti 1991, ndërsa në Mal të Zi, gjatë tri dekadave, janë ngritur vetëm nëntë aktakuza.

Me zvogëlimin gradual të rolit të institucioneve ndërkombëtare, sfida kryesore mbetet nëse gjykatat e vendeve të rajonit do të jenë në gjendje t’i trajtojnë rastet e pazgjidhura dhe të sigurojnë drejtësi për viktimat e luftërave të viteve ’90.

Related Articles