Protesta e sotme në Strasburg kundër Speciales, Ali Ahmeti del në mbështetje

Protesta e sotme në Strasburg kundër Speciales, Ali Ahmeti del në mbështetje

Ali Ahmeti, lideri i BDI-së në Maqedoninë e Veriut ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për bashkëkombasit që do të protestojnë sot në Strasburg, përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për padrejtësisë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ahmeti në një postim në rrjetet sociale tha se sot është me bashkëkombasit që do të protestojnë.

“Sot me mendje e me zemër jam pranë bashkëkombasve që do të protestojnë në Strasburg, aty ku filloi padrejtësia e madhe ndaj UÇK-së dhe popullit shqiptar”, ka shkruar ai.

Ahmeti kritikon mënyrën se si po funksionon Gjykata Speciale, duke thënë se po gjykon mbi shpifjet e Serbisë e Rusisë.

Kryetari i BDI-së ka kërkuar lirimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.

“Kjo gjykatë nuk po gjykon mbi atë për të cilën u themelua, por po gjykon mbi shpifjet e Serbisë të sajuara nga Rusia. Hashimi, Kadriu, Rexhepi, Jakupi dhe të tjerët janë aleatë të SHBA-së dhe BE-së dhe vendin e kanë në Kosovë. Pafajësia e tyre u konfirmua nga miqtë tanë amerikan e europian në Hagë, prandaj, lironi djemtë tanë!”, shkroi Ahmeti.

Ai përfundoi me një thirrje për drejtësi.

“Padrejtësia duhet të marrë fund menjëherë, i gjithë populli shqiptar është në këmbë për drejtësi për shenjtërinë e luftës sonë çlirimtare”, tha ai.

Related Articles