Protestë e shqiptarëve në SHBA, Gjonlekaj: Plani evropian nuk i sjell asnjë të mirë Kosovës

Protestë e shqiptarëve në SHBA, Gjonlekaj: Plani evropian nuk i sjell asnjë të mirë Kosovës

Komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të enjten do të organizojnë një protestë në kundërshtim të planit evropian, raporton Gazeta Enigma.



Protesta do të mbahet në Manhattan të New Yorkut, para Misionit të Bashkimit Evropian në Kombet e Bashkuara.

Ish-gazetari Gjekë Gjonlekaj, tregoi për Klan Kosova edhe se si erdhi deri tek ideja për protestë

“Para disa ditësh kur ishim në homazhe tek varrezat e vëllezërve Bytyqi, që u vranë nga forcat serbe, biseduam me miq se duhet ta bëjmë këtë protestë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe ramë dakord që ta organizojmë këtë”, tha ish-gazetari për Klankosova.tv

Tutje, ai tha se plani evropian mes Kosovës dhe Serbisë, nuk i sjellë asnjë të mirë vendit tonë.

“Nuk ka asgjë të mirë nga plani evropian. Nuk ka kurrfarë garancie. Me këtë plan rrezikohet që të krijohet një Republikë Serbe brenda Kosovës, ndoshta edhe më shumë se kjo. Kjo do t’iu jepte mundësi të hyjnë dhe të dalin nga Kosova sa herë duan udhëheqësia serbe. Qëllimi i kësaj proteste është ruajtja e sovranitetit të Kosovës”, tha ai.

“Duam që këtë protestë ta realizojmë para takimit të Ohrit. Dëshirojmë që këtë çështje ta shtrojmë edhe në Kongresin Amerikan, përmes disa miqve që i kemi atje. Duam që Gabriel Escobari të tregojë se si do të bëhet kjo marrëveshje”.

Protesta shqiptarët News York

Gjonlekaj foli edhe për Planin e Ahtisaarit, të cilin e konsideroi të rrezikshëm, ndërsa tha se kishat që Serbia pretendon se janë të sajat, në fakt janë të Kosovës.

“Ndërhyrja që ka bërë Plani i Ahtisaarit… ka qenë shumë i mbrapshtë. Kishat nuk janë të Serbisë, ato janë të Kosovës. Ato janë pasuri e Kosovës, të ndërtuara nga gurët dhe dheu i Kosovës. Unë kam punuar më parë në Manastirin e Graçanicës, bashkë edhe me arkitektët dhe artistët. Aty kam gjetur gurë në gjuhën latine që tregojnë që ato kisha janë ortodokse, jo serbe”, theksoi Gjonlekaj.

“Gabimi më i madh i Planit të Ahtisaarit është që janë lejuar që ato të quhen si ‘Kisha serbe’. Dhe këtë do ta keqpërdorë Serbia. Madje, Henry Kissinger, ish-Sekretari amerikan e ka botuar një shkrim të tij në gazetën ‘Newsweek’, ku e ka quajtur si të dyshimtë këtë plan”, shtoi Gjonlekaj.

Sipas ish-gazetarit, Evropa po ka frikë nga Rusia.

Ai theksoi se marrëveshjet po imponohen nga bashkësia ndërkombëtare.

“Evropa po ka frikë nga Rusia. Dhe për këtë shkak po dëshiron t’i ofrojë Serbisë këtë marrëveshje, e cila nuk i sjellë asnjë të mirë Kosovës”.

“Njëjtë ka ndodhur edhe me krijimin e Gjykatës Speciale. Ju duhet ta bëni këtë dhe në fund i futën çlirimtarët në burg. Kjo nuk shkon kështu”, tha ish-gazetari.

Gjekë Gjonlekaj tha se ditëve në vazhdim planifikohet edhe protestë para Shtëpisë së Bardhë.

“Patjetër që ne do të organizojmë protestë edhe para Shtëpisë së Bardhë. Presidenti aktual Joe Biden, ka premtuar njohje reciproke, por mandati i tij po shkon dhe kjo nuk po ndodh. Pra, premtimet e tij nuk po shkojnë në vend”, tha Gjonlekaj.

Ai shtoi se ka frikë edhe nga ndërrimi i administratave në SHBA.

“Me ndërrimin e presidentëve mund të ndërrojnë edhe prioritetet dhe mund të ndryshojnë gjërat. Ju e dini se si Trumpi i pati thënë Vuçiqit, ‘mos ma kërko Slloveninë, e Bosnjën e Kosovën i ke kur të duash’”, shtoi ai.

Protesta do të zhvillohet nesër (e enjte, 16 mars) nga ora 13:00 deri në orën 15:00, dhe është organizuar nga “Batalioni Atlantiku”, “Vendlindja Thërret” dhe nga anëtari i Këshillit të New Yorkut, Mark Gjonaj.

Kujtojmë se të shtunën (18 mars), në Ohër do të zhvillohet një takim në kuadër të dialogut të Brukselit nën udhëheqjen e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Në takim, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Related Articles