Protestuesit në Mal të Zi kërkojnë zgjedhje të reja

Protestuesit në Mal të Zi kërkojnë zgjedhje të reja

Mali i Zi Demokratik, një parti pjesë e shumicës së mëparshme qeverisëse në Mal të Zi, kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Këtë kërkesë kjo parti e bëri gjatë një proteste më 9 shkurt në Podgoricë.

Protesta e së mërkurës, me sloganin “Mbrojtja e vullnetit elektoral të qytetarëve”, u drejtua nga zyrtarët e Demokratëve. Protesta u mbështet edhe nga deputetët dhe zyrtarët e Frontit Demokratik pro-serb.

Ata po ashtu shprehën pakënaqësi për formimin e mundshëm të një qeverie të pakicës, që është propozuar nga ish-partneri i tyre politik, Dritan Abazoviq, që është kryetar i Lëvizjes Qytetare URA.

Demokratët, Fronti Demokratik dhe URA kishin formuar koalicionin qeverisës pas zgjedhjeve të mbajtura më 2020.

Në protestën e 9 shkurtit morën pjesë disa mijëra qytetarë dhe aktivistë të subjekteve politike, të cilët mbajtën flamuj shtetërorë dhe mbishkrime përmes së cilave u bëhej thirrje qytetarëve që t’i rezistojnë “vjedhjes së vullnetit elektoral”.

“Njerëz, përgatituni për zgjedhje. Oferta jonë është e qartë, ne jemi demokratë dhe evropianë dhe ne ofrojmë një zgjedhje evropiane. Le t’ia kthejmë mandatin popullit dhe ta lëmë popullin të vendosë se cila do të jetë e ardhmja”, tha kryetari i Demokratëve, Aleksa Beçiq.

Related Articles