Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet zona më e ndjeshme e gjithë vendit.
Pavarësisht se vazhdimisht është bërë thirrje që të respektohen ligjet e Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë.
Duke shkuar edhe më tutje, provokimet nga ana e serbëve në veri janë ta vazhdueshme.
Pak më parë pikërisht në afërsi tek Ura e Ibrit në veri të Mitrovicës serbët kanë vendosur një flamur të madh të Serbisë.
Nuk është bërë e ditur se për çfarë arsye është vendosur ky flamur, por në fotografitë e siguruara nga lajmi.net shihet se madhësia është tejet e vërejtshme dhe duket posa hynë në veri të Mitrovicës.
Duhet përkujtuar që muajve të fundit incidente të njëpasnjëshme ka patur në veri.
Sulme të shumta të serbëve në drejtim të zyrtarëve policorë të Kosovës, bën që siguria e tyre të jetë shpesh herë në pikëpyetje.
Gurë të vendosur në rrugë, të shtëna me armë, bllokim i rrugëve e shumë veprime të tjera të ndërmarra nga serbët shpesh herë kanë rrezikuar të gjithë ata.
Për shkak të mos respektimit të vendimeve që Qeveria e Kosovës mori së fundi, serbët madje kishin vendosur edhe barrikada në Bërnjak dhe Jarinje.
Të njëjtit nuk pajtoheshin fillimisht me vendosjen e targave të Kosovës, e as me marrëveshjen për dokumente në hyrje-dalje të dy vendeve.
Tashmë është arritur që marrëveshja për dokumentet të respektohet, derisa marrëveshja për heqjen e targave ilegale dhe vendosjen e targave legale të Kosovës mbetet ende në pikëpyetje.
E gjithë kjo për shkak se numri i serbëve të cilët deri tani kanë vendosur që t’i ndërrojnë ato është tejet i vogël.
Madje ditë më parë, kryeministri Albin Kurti, bëri thirrje në drejtim të qytetarëve serbë që t’i ndërrojnë tabelat e automjeteve nga ato ilegale në legale.
Është vetë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla që javën e kaluar ka njoftuar se një zyrtari policor në veri i është djegur vetura, pasi i njëjti kishte ndërruar targat. Kurse një qytetari tjetër i është djegur depoja, për të njëjtën arsye.
Ai madje ka bërë thirrje nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq që të ndalojë përkrahjen që ka ndaj strukturave ilegale serbe në veri të vendit.
Duhet përkujtuar që gjatë këtij viti shumë rrugë ilegale të cilat përdoreshin nga serbët në veri janë mbyllur.
Zyrtarët policorë pavarësisht kërcënimeve të shumta nga të shtënat me armë kanë vazhduar të kryejnë detyrën e tyre në pikat kufitare të Kosovës.
Thirrje për mos-provokim dhe mos eksalim të situatës ka pasur vazhdimisht nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në vendosjen e fundit të barrikadave nga serbët në veri, nga KFOR-i kishin deklaruar se janë të gatshëm të monitorojnë situatën vazhdimisht në këtë anë.
Derisa situatë muajve të fundit nuk ka qenë aspak e qetë, siç duket serbët po vazhdojnë që edhe sonte të nxisin provokime duke vendosur flamurin e Serbisë në afërsi tek Ura e Ibrit.