Zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Dren Kukaj, ka publikuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me arrestimin e Dardan Molliqajt.
Sipas Kukajt, ky aktvendim dëshmon se “Policia arrestimin spektakular e ka bërë në mungesë të një urdhërarresti”.
“Ky është aktvendimi i shqiptuar mbrëmë nga Gjykata Themelore në Prishtinë kundrejt Dardan Molliqajt. Masën e shqiptuar e vlerësojmë si jo proporcionalë në raport me veprën e dyshuar penale dhe të gjitha rrethanat e këtij rasti, andaj edhe ndaj të njëjtit aktvendim do të parashtrojmë ankesë pranë Gjykatës së Apelit”, shkruan Kukaj.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka përfillur kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj liderit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqajt, dhe i ka caktuar atij masën e sigurisë, paraqitje në stacion policor.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit të datës 02.02.2022 kundër të pandehurit D.M. e ka refuzuar si të pa bazuar dhe ndaj të njëjtit ka caktuar masën e paraqitjes në stacionin policor”, thuhet në njoftim. /Gazeta Enigma/.