Partia Socialdemokrate ka ironizuar me takimin e kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. PSD-ja tha se duke u bazuar në deklaratat e Kurtit, ku ka thënë se nuk do të takohet me Serbinë pa kërkuar falje për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve, i bie se fotografia e publikuar pas takimit është veç se një montazh e përgatitur nga armiqtë e tij, raporton Ekonomia Online.
Aksioni është zhvilluar në përkujdesje të Policisë së Kosovës, teksa në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë është vendosur pankarta e fotografisë së takimit, me mbishkrimin “Kjo është montazhe, ky takim nuk ka ndodhur”.
“Fake News, Albini nuk e takon Vuçiqin pa kërkuar falje Serbia”, thuhet ndër të tjera në pankartën e realizuar nga PSD-ja.
Lidhur me këtë aksion, ka mbajtur konferencë sekretari organizativ i PSD-së, Nol Nushi, i cili në formë ironizuese ka thënë se gjithçka çka është raportuar në media është e pavërtetë dhe se çkado që thotë Kurti është e vërtetë.
“Çështja ka qenë urgjente. Gjithë ditën e keni parë një foto të tillë… Kjo foto është një montazhe tipike e partive që e kanë vjedhë shtetin qe 20 vite. Foto që e shihni nuk është as Albini e as Vuçiqi, as këta dy bashkë tu u taku mes vete. Nuk ka asnjë gjë që lideri suprem z. Kurti me u taku me Vuçiqin pa kërku falje Serbia. Nuk e di ku kanë pa këto media që i kanë bërë këto shpifje, ku kanë pa ata që z. Kurti të takohet me Vuçiqin pa u zbardh fati i të pagjeturve, pa u shpërbly dëmet e luftës e pa kthy artifaktet kulturore e shumë të këqija që Serbia ka bë në Kosovë. Ku kanë pa që z. Kurti pi kafe dhe ha kifle me z. Vuçiq pa kërku falje për krimet e Kosovës. Çkado që thotë z. Kurti, ajo është e vërteta, është e tëra”, tha Nushi.
Nushi madje ironizoi edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ku tha se policët e tij, po e ruajnë këtë pankartë në mënyrë që qytetarët ta kuptojnë që e vërteta është ndryshe nga fotografia e shpërndarë sot nga takimi i Kurtit me Vuçiqin.
“Shpërndajeni lajmin që kjo foto është e pavërtetë, nuk ka ndodhur, e kemi edhe Policinë e zotrit Sveçla këtu që po kujdeset që kjo të ruhet dhe të mos hiqet, sepse qytetarët duhet ta kuptojnë që e vërteta është ndryshe prej kësaj fotomontazhës që është këtu”, tha Nushi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut, por palët nuk u morën vesh për temat e ngritura.
Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.