Partia Socialdemokrate (PSD) përmes një konference për media ka kërkuar që të mos kaloj Projektligji për Inspektimin Administrativ.
Sipas tyre ky Projektligj ka për synim krijimin e Inspektoratit Administrativ, që do jetë agjenci ekzekutive dhe e cila më shumë i ngjan një trupe policore civile pa uniformë.
“Në muajin dhjetor të vitit 2021 Projektligji për Inspektimin Administrativ kalon fazën e konsultimeve publike. Projektligji ka për synim krijimin e Inspektoratit Administrativ, që do jetë agjenci ekzekutive dhe e cila më shumë i ngjan një trupe policore civile pa uniformë, që do të kontrolloj, shantazhoj dhe hetoj administratën publike drejtpërdrejt nga zyra e Ministrit Sveçla”, thuhet në njoftimin për media.
PSD ka theksuar se zyrtarëve publik po iu shtohet edhe një mekanizëm i centralizuar për të vlerësuar punën e tyre. Sipas tyre, aktualisht puna e zyrtarëve publik vlerësohet nga eprorët më të lartë në hierarki si dhe në disa raste nga zyra e Auditorit të Përgjithshëm.
“Gjithashtu, në rastet kur ka dyshime për ndonjë vepër penale, atëherë veprimtaria e zyrtarit të caktuar hetohet nga edhe nga organet e drejtësisë. Me ligjin e ri për Inspektoriatin Administrativ ku inspektori mund të kryej inspektimin edhe pa paralajmërim edhe pa subjektin që po inspektohet, jo vetëm që ndërhyn drejtpërdrejt në pavarësinë dhe neutralitetin politik të institucioneve të garantuara me Kushtetutë dhe ligj, i njëjti hap rrugën për inskenime e montime të çfarëdoshme me motiv të shtrirjes së kontrollit dhe pushtetit nga lartë-poshtë”, thuhet në njoftim.
PSD thotë se në një ligj tjetër, përkatësisht Projektligji për Inspektimet që tashmë ka kaluar edhe në shqyrtim të dytë në Kuvendin e Kosovës ka krijuar rrugën që drejtpërsëdrejti Qeveria të ndërhyjë në kompetencat ekskluzive të pushtetit lokal që komunat i gëzojnë me legjislacionin aktual.
“Nga shembujt nëpër botë e dimë që ndërhyrja në kompetencat e Qeverisjes Lokale, pra në centralizimin e tyre në pushtet qendror, veç autoritarizëm ushqen. Ky është rreziku që kanos Kosovën në momentin që një ligj i tillë hyn në fuqi. Kërkesa e jonë është e qartë: Projektligji për Inspektimin Administrativ nuk guxon të kaloj. Inspektorati Administrativ do të jetë një prej mekanizmave më efikas që pushteti do të ketë në dorën e tij për të kontrolluar, shantazhuar e policuar punonjësit përbrenda aparatit shtetëror”, ka theksuar PSD. /Gazeta Enigma/.