Publikohet raporti për korrupsion, Kosova shënon progres

Publikohet raporti për korrupsion, Kosova shënon progres

Organizata jo-qeveritare Transparency International e ka publikuar sot Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2022, ku sipas vlerësimit të saj, Kosova ka shënuar progres në këtë drejtim.

Për vitin që lam pas, vendi ynë është vlerësuar me 41 pikë, duke u ranguar në vendin e 84-të në ranglistën botërore prej 180 shtetesh.

Nëse bëjmë një krahasim me vendet e Ballkanit Perendimor, del se Kosova është vlerësuar më së miri, pas Malit të Zi që u vlerësua me 45 pikë, shkruan Klan Kosova.

Më së dobëti në vendet e rajonit vlerësohet Bosnje dhe Hercegovina me 34 pikë. Shqipëria dhe Serbia me nga 36 pikë; ndërsa Maqedonia e Veriut me 45 sosh.

Sipas perceptimit të TI-së, Ballkani Perëndimor është i njohur për rezistencën e dobët ndaj krimit të organizuar.

“Vendet kanë qenë të ngadalta në trajtimin e këtij rreziku dhe institucioneve përgjegjëse ende u mungon pavarësia e duhur”, thuhet në vlerësimin e Transparency International.

Tutje, në këtë raport, përmenden edhe tensionet me barrikada që ndodhën në veri të Kosovës gjatë dhjetorit të vitit të kaluar.

“Përshkallëzimi i fundit i tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rriti rreziqet e sigurisë në rajon, duke përfshirë minimin e bashkëpunimit ndërkufitar, i cili është kyç për të luftuar me sukses krimin e organizuar. Vendimmarrja politike më transparente dhe e përgjegjshme, përfshirë edhe gjatë dialogut Kosovë-Serbi, do të krijonte një klimë më të përshtatshme për zgjidhjen konstruktive të këtij konflikti të ngrirë dhe do të mundësonte zbatimin e reformave kyçe si parakusht për integrimin në BE”.

Megjithatë, theksohet se Kosova ka bërë përparim me një kornizë ligjore të përmirësuar për financimin e fushatës politike dhe zgjedhore.

“Kosova ka bërë përparim me një kornizë ligjore të përmirësuar për financimin e fushatës politike dhe zgjedhore, por zbatimi i reformave të tilla do të jetë kyç në muajt e ardhshëm. Qeveria ende duhet të përmirësojë transparencën dhe të përmbahet nga çdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Ndërsa skandalet e korrupsionit nuk kanë dalë në dritë vitin e kaluar, kjo nuk do të thotë se korrupsioni është nën kontroll”.

Po ashtu, IT vlerëson se shpenzimet e ulëta buxhetore për investime kapitale në vitet e fundit kanë reduktuar mundësitë për korrupsion në shpërndarjen e kontratave publike, gjë që ka qenë problem në të kaluarën.

Këto ishin aspektet pozitive për Kosovën sipas vlerësimit për 2022, mirëpo Klan Kosova ka bërë një krahasim për të parë se si shteti më i ri në Evropë qëndronte në të kaluarën.

Në vitin 2021, Kosova u vlerësua me 39 pikë dhe si rezultat i rendit në pozitën e 87-të.

Në vitin 2020, Kosova u vlerësua me 36 pikë dhe si rezultat i rendit në pozitën e 104-të.

Në vitin 2019, Kosova u vlerësua me 36 pikë dhe si rezultat i rendit në pozitën e 101-të.

Në vitin 2018, Kosova u vlerësua me 37 pikë dhe si rezultat i rendit në pozitën e 93-të.

Në vitin 2017, Kosova u vlerësua me 39 pikë dhe si rezultat i rendit në pozitën e 85-të.

Në vitin 2016, Kosova u vlerësua me 36 pikë. Në vitin 2015, 2014 dhe 2013 me nga 33 pikë, si dhe në vitin 2012 me 34 pikë.

Pra, edhe pse më 2017 vlerësimi ishte 39 pikë, kësaj here për herë të parë Kosova arrin shifrën 41 të vlerësimit të TI-së.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës disa herë ka theksuar se synim i saj është integrimi i plotë i Kosovës në Bashkimin Evropian, mirëpo sipas këtij vlerësimi, del se mbetemi ende larg mesatarës prej 66 pikësh që mban BE-ja.

Related Articles