Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka reaguar sa i përket punësimeve në KEK, i cili thotë se kanë qenë të orkestruara për të rehatuar militantët partiakë.
Ai ndër te tjera thotë se ky skandal i ka tejkaluar edhe skandalet e punësimeve të së kaluarës siç ishte ai i njohur si “Pronto”.
“Ky skandal i ka tejkaluar edhe të tjerët, pasi që direkt zyrtarët janë të përfshirë në të. Nuk mund të jesh edhe anëtarë i komisionit vlerësues, dhe ta punësosh djalin, nipin, ose familjarët. Kjo është edhe në kundërshtim me ligjin. Ky është konflikt interesi. Ne e dimë se Kosova është e vogël dhe njerëzit që konkurrojnë mund të kenë të afërt të caktuar, por zyrtari i caktuar është dashur të largohet nga vlerësimi”.
Zemaj thotë se konkursi në KEK është shpallur gjatë balotazhit të zgjedhjeve lokale dhe sipas tij hidhen dyshime se ai mund të jetë përdorur politikisht.
Deputeti i LDK-së thotë se për shkak të dyshimeve të bazuara, është konstatuar se skandali nuk mund të mbulohet vetëm me debate por duhet filluar edhe procedura gjyqësore.
“Të gjeturat shfaqin dyshime tepër të arsyeshme se ajo që ka ndodhur në konkurs është veprim skandaloz nga menaxhmenti por që prapavinë e ka politike. Prandaj ne sot kemi bërë kallëzim penal”, tha ai në RTK Dukagjin.
Deputeti i LDK-së thotë se duket që ky skandal ka qenë i orkestruar për shkak të premtimeve zgjedhore për punësime.
Zemaj thotë se përgjegjësi për këto punësime jo të rregullta duhet të mbajë edhe kryeministri i vendit.