Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka kërkuar falje rreth artikullit për UÇK-në, duke thënë para mediave se ka qenë i pavëmendshëm pasi siç u shpreh ai, nuk e ka lexuar kurrë dhe nuk ka qenë në dijeni se i njëjti do të publikohej si bashkautorësi me dikë tjetër, njofton Klankosova.tv.
Basha tha se nuk do të kishte pranuar të jetë bashkautor ku flitet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pasi siç u shpreh ai, nuk ka vlerë më të çmuar se ajo.
“Kam treguar që kjo ka ndodhur në vitin 2012, sa kam qenë student. Autorja vetë e ka pranuar dhe ka lëshuar komunikatë ku thotë që nuk mban asnjë përgjegjësi të vetme përveç kapitullit 3. Kapitulli 3 ka qenë fusha ku unë kam studiuar dhe jam ekspert i çështjes. Asnjëherë nuk kam bërë punime shkencore për ndonjë fushë tjetër. Prej meje sa për sqarim, me është kërkuar një kapitull për fushën që ti ki hulumtime dhe unë e kam dorëzuar kapitullin me bindjen që do të publikohet kapitull i veçantë që po e mbulon atë fushë, pasi globalizimi ka qenë një nga arsyet që ka ardh deri të hulumtimi që kam bërë unë, por jo që do të dalë bashkautorësi me dikë tjetër. Në asnjë moment nuk kisha pranuar të jem bashkautor ku flitet ashtu për UÇK-në. Prej vitit 2008 publikoj edhe opinione, por asnjëherë në asnjë moment nuk e kam ditë që do të publikohet si bashkautorësi. Ka qenë kur kam qenë student, dhe unë kurrë në jetë nuk e kam lexuar artikullin. Hera e parë e pashë kur është publiku ku është artikulli komplet. Është dashtë të jem më i kujdesshëm. Pajtohem se kam qenë i pavëmendshëm. Atëherë kam punuar edhe full-time si student, por në asnjë moment nuk e kam parë artikullin që ka dalë”, tha kryeparlamentari pas mbledhjes së Kryesisë e cila ka dështuar për shkak të kuorumit.
“Kërkoj falje për pakujdesinë time. Duhet ta pranoj që kam qenë i pakujdesshëm dhe i pavëmendshëm. Unë kam kërkuar që të tërhiqet kapitulli dhe emri im nga punimi. Unë nuk kam të bëjë asgjë me këtë. Unë kërkoj falje për pavëmendjen time, por askush nuk mund ta vë në dilemë atdhetarizmin tim”, ka thënë ai.