Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka përmendur sërish rastin e Kosovës, duke u përpjekur të arsyetojë aneksimin e territoreve ukrainase Donetsk dhe Lugansk.
“Ju kujtoj precedentin famëkeq të Kosovës. Është folur shumë herë më parë dhe tani do ta them sërish. Precedenti i krijuar nga vetë vendet perëndimore, duke e njohur ndarjen e Kosovës nga Serbia në vitin 2008 si legjitime në rrethana absolutisht të ngjashme. Më pas erdhi vendimi i njohur i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 korrik 2010, bazuar në nenin 1, paragrafin 2 të Kartës së OKB-së, vendosi dhe citoj: ‘Asnjë ndalim i përgjithshëm kundër deklaratave të njëanshme të pavarësisë nuk mund të nxirret nga praktika e Këshillit të Sigurimit’. Dhe citati tjetër: ‘E drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk përmban asnjë ndalim të zbatueshëm për deklaratat e pavarësisë’. Për më tepër, aty shkruhej se pjesët e një vendi, çdo vendi, që kanë vendosur të shpallin pavarësinë e tyre nuk duhet të kërkojnë leje nga autoritetet qendrore të shtetit të tyre të mëparshëm. Gjithçka është shkruar aty, të gjitha të shkruara nga dora e tyre, e zeza në të bardhë”, tha Putin në një koferencë për media.
“Pra, a kishin të drejtë këto republika – Donetsk dhe Lugansk – të shpallnin pavarësinë e tyre? Sigurisht që po. Pyetja nuk mund të shqyrtohet në asnjë mënyrë tjetër”, shtoi ai.
Ai gjithashtu kritikoi pushtetin në Kiev, duke thënë se “injoroi në tërësi zgjedhjen e popullit dhe nisi një luftë në shkallë të plotë kundër shteteve të reja të pavarura – në republikën popullore të Donbasit, duke përdorur aviacionin, artilerinë dhe tanket”.