Gazetari holandez për raportimin e krimeve, Peter de Vries, i njohur për ekspozimin e botës kriminale, është qëlluar dhe plagosur rëndë në një rrugë të Amsterdamit.
Policia tha se ka ndaluar tre persona të dyshuar, njëri prej të cilëve besohet se ka shtënë, por nuk dha hollësi të tjera rreth rastit, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Kryetarja e Amsterdamit, Femke Halsema, tha: “Ai është plagosur seriozisht dhe po lufton për jetën. Ai është një hero kombëtar për të gjithë ne. Një gazetar i rrallë, i guximshëm, që në mënyrë të palodhshme ka kërkuar drejtësi.”
Sipas raportimeve të medieve lokale, De Vries është qëlluar pesë herë, përfshirë një goditje në kokë. Policia e rrethoi vendin e ngjarjes afër sheshit “Leidseplein” përderisa oficerët filluan të mblidhnin dëshmi.
Gazetari De Vries është i njohur për punën e tij hulumtuese pas rrëmbimit të njërit prej njerëzve më të pasur në Holandë, Freddy Heineken, më 1983.
Ai fitoi një çmim ndërkombëtar Emmy më 2008 për punën e tij hulumtuese rreth zhdukjes së adoleshentes Natalee Holloway në Aruba.
Agjencia e lajmeve, ANP, raportoi se kryeministri Mark Rutte pritet të dalë me deklaratë pas takimit me zyrtarët e lartë të sundimit të ligjit pas sulmit ndaj gazetarit.