Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka bërë të ditur se e vlerëson si të ngutshme Ratifikimin e Marrëveshjes së Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për dhënien me qira të Burgut të Gjilanit.
Në reagimin e tyre thuhet se QKRMT-ja kërkon nga institucionet që organizatave të shoqërisë civile t’u mundësohet monitorimi i të drejtave të njeriut në burgun e Gjilanit, ku do të transferohen të burgosurit nga Danimarka, me qëllim garantimin e aplikimit të standardeve dhe rregullave ndërkombëtare për personat e privuar nga liria.
“Mungesa e debatit publik lidhur me Marrëveshjen, përkatësisht zbatimin e saj dhe efektet në praktikë. Përveç mungesës së debatit në Kuvend, për këtë Marrëveshje nuk është organizuar nga institucionet qeveritare asnjë diskutim me ekspertët e fushës, shoqërinë civile apo organizatat e të drejtave të njeriut. I vetmi diskutim për këtë Marrëveshje është organizuar nga QKRMT në vitin 2022, ku në prezantimet e tyre ekspertët ndërkombëtar i patën paraqitur sfidat eventuale në zbatimin e kësaj marrëveshje”.
“Aktualisht në Burgun e Gjilanit gjendet rreth 200 të burgosur, të cilët me rastin e ratifikimit të kësaj Marrëveshje duhet të zhvendosen në Burgjet e tjera. Sistemi Korrektues në Kosovë momentalisht nuk ka hapësira të veçanta për vendosjen e të paraburgosurve, Qendrat e Paraburgimit në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Mitrovicë janë pothuajse të mbushura me të paraburgosur dhe aktualisht nuk ka vende të lira. Andaj, zhvendosja e të paraburgosurve nga Burgu i Gjilanit, duhet të bëhet me kujdes të veçantë në mënyrë që mos të bjerë standardi i ndërtuar ndër vite për vendosjen e të paraburgosurve”, thuhet në reagim.
“Së fundmi, Komiteti i OKB-së kundër Torturës ka shprehur shqetësim e saj në raport me këtë Marrëveshje duke vënë në spikamë rrezikun e shkeljes së të drejtave të njeriut, nëse të burgosurit transferohen për të vuajtur dënimin nga Danimarka në Kosovë”, thuhet në reagim.
Tutje, thuhet se QKRMT i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë, që fillimisht të bëjë zgjidhjen e duhur për vendosjen e të burgosurve që aktualisht gjenden në Burgun e Gjilanit, në mënyrë që vendosja dhe trajtimi i tyre të jetë në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut. Po ashtu QKRMT bën thirrje që të ruhen standardet e krijuara dhe mos të lejohet që të krijohen standarde të dyfishte të kushteve të të burgosurve brenda Republikës së Kosovës.