Pas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës edhe Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar u ka bërë thirrje të gjithë mërgimtarëve si dhe shtetasve kosovarë që të shmangin hyrjet dhe daljet në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Gazeta “Enigma”.
Thirrjet e MPJD-së dhe QKMK këto thirrje i bënë pasi para pak ditësh i ashtuquajturi kryetar i Asociacionit të qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se të premten, më 6 shtator, do të fillojë bllokada e të gjitha vendkalimeve kufitare në Kosovë.
“Autoritetet kompetente të RKS në bashkëpunim me partnerët, i kanë marrë të gjitha veprimet për menaxhim të situatës së paralajmëruar dhe ju inkurajojnë që të ndiqni me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informoheni vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”, thuhet në njoftim. /Gazeta Enigma/