Kryeministri, Albin Kurti, u shpreh i lumtur për inaugurimin e Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e inaugurimit, ai tha se kjo qendër paraqet një angazhim e përkushtim dhe një arritje e mundësi domëthenëse në këtë rrugëtim.
“Epoka digjitale ka sjell mundësi të papara për progres dhe zhvillim, por edhe sfida të mëdha për mbarë njerëzimin. Nga sulmet kibernetike të sponzoruara nga shtetet jodemokratike, deri te rrjetet e sofistikuara të krimit kibernetik, bota ballafaqohet me situata të cilat kanë ndikim në ekonomitë e shteteve që cenojnë procese demokratike dhe kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe përderisa teknologjia vazhdon të përparojë, hendeku i aftësive në fushën e sigurisë kibernetik shkon duke u zgjeruar. Trajnimi dhe edukimi i profesionistëve dhe përdoruesve të teknologjisë, është rruga e vetme për kapërcimin e këtij hendeku në mënyrë që ata të pajisen me njohuritë dhe mjetet që u nevojten për t’u mbrojtur në mënyrë efektive nga kërcënimet kibernetike. Andaj është nder dhe kënaqësi që gjendem para jush sot këtu, e bashkë me juve për të shënuar një moment të rëndësishëm në rrugën që po e ndjek edhe Kosova drejt një hapësire kibernetike me të sigurtë”.
“Inaugurimi i Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike paraqet një angazhim e përkushtim dhe një arritje e mundësi domëthenëse në këtë rrugëtim. Viti i kaluar ka qenë vit i progresit në zhvillimin e shumë iniciativave dhe politikave tona në fushën e sigurisë kibernetike. Në shkurt e miratuam Ligjin për Sigurinë Kibernetike që krijon bazën për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës, ligji parasheh themelimin e institucioneve kyçe shtetërore përgjegjëse për këtë fushë, përcaktimin e obligimeve për entitetet e insfrastrukturës kibernetike dhe definimin e procedurave për menaxhimine e incidienteve kibernetike. Në muajin nëntor, kuvendi miratoi edhe plotësim ndryshimet e kodit penal për të përfshirë në to nenet e krimeve kibernetike në bazë të konventës së Budapestit”, u shpreh kreu i Qeverisë.