Qeveria: Draft statuti i Asociacionit që u publikua mbrëmë, s’përkon me propozimin evropiano-amerikan që mori Kurti

Qeveria: Draft statuti i Asociacionit që u publikua mbrëmë, s’përkon me propozimin evropiano-amerikan që mori Kurti

Qeveria e Republikës së Kosovës ka përgënjeshtruar lajmin që u publikua mbrëmë, i cili pretendonte se mban draftin e plotë të statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, i dalë nga zyra e të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se dokumenti që është publikuar, nuk përkon me propozimin  evropiano – amerikan, të cilin e pranoi kryeministri i vendit, Albin Kurti, nga pesëshja diplomatike perëndimore më 21 tetor.

Dokumenti që është publikuar dhe që ka qarkulluar mbrëmë në disa portale dhe televizione si “draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” absolutisht nuk përkon me propozimin Evropiano-Amerikan që i është dorëzuar kryeministrit Kurti në takimin e 21 tetorit si plan për ecjen përpara”, shkroi Kryeziu. 

Ndryshe, sipas Paparacit, drafti i statutit që publikoi mbrëmë ka një përmbajtje prej 11-faqesh dhe përmban në të shkruar parimet, objektivat e kompetencat e themelimit të Asociacionit.

Kujtojmë se pa ndonjë përparim, Kosova dhe Serbia përmbyllën një maratonë takimesh të enjten e kaluar në Bruksel.

Sipas udhëheqësve të BE-së, arritjen e pajtimit e penguan kushtëzimet që paraqitën palët.

Siç deklaroi Borrell, pas takimeve në Bruksel, palët nuk arritën të pajtoheshin pasi tha se secila kishte parakushte që nuk i pranonte pala tjetër.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës pas takimeve ka konfirmuar, se kryeministri Albin Kurti, është shprehur i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, përfshirë edhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të prezantuar nga diplomatët-euroatlantikë javën e shkuar.

Megjithatë, sërish nuk ka pasur nënshkrime të palëve, pasi siç ka thënë Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media të enjten pas takimeve në Bruksel, një gjë e tillë është refuzuar nga Serbia.

Related Articles