Katër vjet më parë Qeveria Hoti shfuqizoi vendimet përmes së cilave ishte vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.
Nën udhëheqjen e kryeministrit Avdullah Hoti, ekzekutivi shfuqizoi vendimin e datës 20 mars 2020 për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.
Me sugjerimin e kryeministrit Hoti, me shumicë votash të kabinetit qeveritar u anuluan vendimet e qeverisë së mëparshme të miratuara më 20 mars dhe 30 maj për futjen graduale të reciprocitetit, në vend të taksës 100 për qind të mallrave nga Serbia.
Anëtarët e Qeverisë nga AAK e Ramush Haradinajt votuan kundër këtij vendimi, i cili si kryeministër në dhjetor 2019 futi taksën 100 % për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Pas seancës së qeverisë, kryeministri i atëhershëm Hoti tha se shfuqizimi i vendimit të mëparshëm për futjen e reciprocitetit heq pengesën për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Ai theksoi se heqja e pengesave nga pala e Kosovës do të jetë e vlefshme për një kohë të caktuar në mënyrë që të sigurojë një shans për dialog, ndërsa partnerët ndërkombëtarë pritet të bëjnë presion ndaj Serbisë. Ai shtoi se në rast se dialogu nuk jep rezultate, Qeveria e Kosovës ruan të drejtën e kthimit të masave.
Serbia kishte ndërprerë dialogun kur Kosova futi taksën 100 % për importin e mallrave të tyre, ndërsa bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, insistuan në heqjen e saj në mënyrë që të krijojnë kushte për vazhdimin e dialogut.
Në të njëjtën kohë, nga Serbia u kërkua që t’i jep fund fushatës së saj agresive për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si UNICEF dhe INTERPOL, që ishte arsyeja e futjes së taksës.
Më pas, ish-kryeministri dhe drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vendosi të zëvendësojë taksat me reciprocitet, me të cilin nuk u pajtua Lidhja Demokratike e Kosovës, partner i koalicionit në qeverinë e kaluar, dhe kjo çoi në rrëzimin e Qeverisë Kurti pas vetëm 50 ditësh.