Qeveria e Kosovës i ka dalë sërish në mbrojtje ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, ligj ky që u miratua dje nga mazhoranca në lexim të dytë, me 61 vota për, njofton Gazeta Enigma.
Qeveria tha se ky ligj është kërkuar vite me radhë nga Bashkimi Evropian, përmes Raportit për Vendin, dhe se i njëjti “në radhë të parë sjell barazi dhe konkurrencë të shëndoshë në treg”.
“Ky Ligj në plotëni përcjell direktivën për Shërbimet e Mediave Audiovizuele (AVMS) të Bashkimit Evropian, hartuar nga ekspertët e Bashkimit Evropian. Gjatë konsultimeve e dëgjimeve publike të organizuara nga Zyra e Kryeministrit, u dëgjuan shumë palë, ekspertë të fushës, pjesëtarë të medias e shoqërisë civile. Të njëjtit u takuan edhe me ekspertët që kanë hartuar Ligjin, po ashtu nën organizimin e Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Ani se ditë më parë kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha i kërkoi Qeverisë që të tërhiqet nga ky ligj, kjo e fundit tha se AGK-së i ofruan edhe takim të ndarë me ekspertët pas komenteve të tyre, “për t’u siguruar që shqetësimet e tyre adresohen nga ata më të kualifikuarit e fushës së medias brenda BE-së”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për KPM-në mbi këto parime:
-respektimit të plotë të direktivës AVMS;
-harmonizimit të këtij Projektligji me legjislacionin në fuqi dhe
-sigurimit të zbatimit të të drejtave të garantuara e përgjegjësive të mveshura për të gjitha subjektet, nga një organ i pavarur kushtetutës, pra KPM”, vazhdon komunikata e Qeverisë.
Qeveria tha se çdo portal që prodhon e plason lajm përmes audio apo video mesazhi, i duhet nënshtruar rregullave të njëjta me ato që vlejnë për televizion, sepse të dy këto kanë audiencën e njëjtë dhe kanë qëllimin e njëjtë – informimin.
“Direktiva e Bashkimit Evropian AVMS, shtrihet mbi dy parime kryesore: të siguruarit që çdo medium që prodhon informacion i nënshtrohet rregullave të njëjta dhe, që çdo qytetar ka të drejtë të informohet mbi atë se kush ia plason lajmin përmes të cilit informohet, marrë parasysh që gjykimet tona edhe formohen mbi lajmin që na plasohet. Në dritë të kësaj, çdo portal që prodhon lajm vetërregullohet por, çdo portal që prodhon e plason lajm përmes audio apo video mesazhi, i duhet nënshtruar rregullave të njëjta me ato që vlejnë për televizion, sepse të dy këto kanë audiencën e njëjtë dhe kanë qëllimin e njëjtë – informimin. Andaj, të dy këto, për të qenë konkurrente në treg, i nënshtrohen rregullimit nga i njëjti organ i pavarur, në këtë rast Komisioni i Pavarur për Media”.
“Kosova nuk ka mekanizma tjerë të pavarur, institucional, që do mund të kryenin këtë detyrë të KPM-së. E këto qëndrime, janë të harmonizuara me vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”.
Tutje Qeveria tha se bazuar në këtë ligj, asnjë parti politike e as ndonjë bashkësi fetare nuk mund të ketë pronësi në media.
“Kemi ruajtur pavarësinë e mediave nga ndikimi politik e çdo ndikim tjetër që mund të perceptohej si i tillë nga publiku. Së këndejmi, asnjë parti politike dhe asnjë bashkësi fetare nuk mund të ketë pronësi në media. Qytetarët tanë do jenë të informuar në çdo kohë mbi atë kush ua plason lajmin, përmes qasjes në platformën e KPM-së e cila do tregojë saktë përfituesit fundorë të secilit medium”.
Sa i përket kritikave nga shoqëria civile mbi gjobat e parapara, Qeveria u arsyetua duke thënë se janë të këtilla sepse janë harmonizuar me Ligjin në fuqi për Kundërvajtjet.
“Është detyrë e jona të sigurojmë harmonizimin dhe zbatimin efikas të ligjeve tona kombëtare”.
“Të udhëhequr nga ekspertët e Bashkimit Evropian e me vullnet për të fuqizuar KPM-në si institucion të pavarur kushtetues, por mbi të gjitha për t’i ofruar qytetarit të Kosovës mundësinë të krijojë opinionin në mënyrë të pavarur, gjithnjë sipas udhëzimeve të Direktivës AVMS. Falënderojmë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votimin e një ligji cilësor e reformues”, përfundon komunikata e Qeverisë.
Projektligji i miratuar të enjten, më 11 korrik, parasheh licencimin dhe kontrollimin e mediave online që prodhojnë video prej KPM-së, më herët në këtë organ kanë qenë të obliguara që të regjistrohen vetëm mediat audio-vizuale.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) – i themeluar në vitin 2005 – është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
Sipas këtij projektligji, mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit nga KPM-ja.
Po ashtu, mediat duhet të marrin leje prej KPM-së në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind.
Sipas tij, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale siç janë: mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor te KPM-ja brenda afatit, mosruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim, si dhe për disa raste të tjera.
Përveç përfshirjes së mediave online që prodhojnë video nën monitorimin e KPM-së, projektligji i ri parasheh edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11 dhe zgjatjen e mandatit të tyre.
Anëtarët e KPM-së votohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), kjo rritje e stafit në KPM mund të keqpërdoret nga Qeveria “për t’i dërguar njerëzit e tyre”, të cilët do të mund të qëndronin më gjatë në pozitat e tyre, duke rrezikuar kështu, sipas tyre, pavarësinë e KPM-së.
Projektligj për KPM-në është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, ku është miratuar në lexim të parë më 7 mars të këtij viti. Pas miratimit në lexim të dytë, duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) i patën bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në projektligj, pasi diçka e tillë ishte konsideruar “sulm mbi mediat”.
Misioni i OSBE-së dhe i BE-së më herët kanë thënë se mbështesin qëllimin e projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën e shërbimeve audio-vizuale, por, “siç thekson raporti i Këshillit të Evropës, nevojitet më shumë punë në draft për të siguruar që ai mos të nënvlerësojë pavarësinë e KPM-së dhe as të mos krijojë mospërputhje ligjore”. /Gazeta Enigma