Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, është duke raportuar para deputetëve në Komisionin Parlamentar për Integrim Evropian.
Gjatë raportimit, Bislimi ia ka atribuuar të gjitha meritat për liberalizim të vizave Qeverisë në të cilën ai bën pjesë.
Sipas tij, ndonëse ishin plotësuar të gjitha kushtet, “hezitimet e disa vendeve anëtare vazhdonin”.
“Vitin e kaluar jemi marrë me liberalizimin e vizave, kemi aplikuar në KiE. Sipas planifikimit me 15 tetor 2022 kemi aplikuar për anëtarësim në BE. Kemi përgatitur shume projekte në kuadër të IPA. Kriteret pwr vizat janë plotësuar që nga vitit 2018, por kishte hezitime nga disa shtetet, hezitimet kishin të bënin me korrupsionin, krimin e organizuar e migrimin, për një vit shënuam progres në këtë drejtim”.
“Filluam bashkëpunim me vendet që shprehën hezitim. Punuam ngushtë me vende përkrahëse. Gjatë dy majave të fundit kemi pasur bashkëpunim me Këshillin dhe Parlamentin për të mos u vonuar procedurat, pas gjithë këtij koordinimi jemi ftuar për të nënshkruar rregullore, e cila është publikuar në Gazetën Zyrtare. Falënderojë të gjithë ata që punua ditë e natë që kjo të arrihet”.
“Në Bruksel ka pajtim të gjerë që Raporti i fundit është pozitiv. Raportet e 3 viteve paraprake kanë cekur ndikim politik në shumë institucione, ndërsa në raportin e viti 2022 nuk përmendet kjo fjalë, ky është përkushtim. Shumë reforma që kishin mbetur të harruar i kemi marrë me shumë seriozitet, psh. rregullorja e Kuvendit të Kosovës. Miratuam Ligjin për pagat dhe Shërbyesit Civil. Janë zbatuar 136 masa, prej tyre 50 legjislative. 21 nga 44 ligjet i kemi dorëzuar në Kuvend”, ka thënë ai.
Kujtojmë se më 19 prill në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u mundësuar qytetarëve lëvizje të lirë në Zonën Schengen më së voni nga 1 janari i vitit 2024.
Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.