Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën propozimin që të kërkojë shpërndarjen e dividentës në vlerë 30 milionë euro nga dy ndërmarrje publike, KOSTT-i dhe KEK-u.
Në mbledhjen e sotme është bërë e ditur se KOSTT-i duhet ta shpërndajë dividentën në vlerë prej 20 milionë euro, ndërsa KEK-u 10 milionë euro.
Qeveria ka thënë se mjetet nga ndarja e dividentës duhet të transferohen në buxhet të Kosovës më së largu deri më 6 tetor.
Ndërkohë, mes tjerash Qeveria e Kosovës ka miratuar disa ndryshime në agjendën legjislative të saj për vitin 2021. Janë shtyrë dhjetëra projektligje ndërsa janë futur në agjendë disa të tjera, raporton Koha.
Ministria e Drejtësisë ka propozuar shtyrjen e projektligjit për tokën ndërtimore, ndërsa ka futur në agjendë projektligjin për ndryshime në ligjin për procedurën përmbarimore.
Ministria e Financave ka hequr projektligjin për skema sociale duke thënë se do të bëhet reformë e thellë andaj duhet të shtyhet ligji.
Ministria e Ekonomisë ka shtyrë projektligjin për ndryshime në Ligjin për Ndërmarrjet Publike sepse “ka nevojë të rishihet edhe një herë”.
Ministria e Punëve të Brendshme ka futur tri ligje të reja, ndërsa ka shtyrë shtatë projektligje për një ose dy muaj.
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur për shtyrjen për dy muaj të agjendës legjislative të propozuar nga ajo për shkak të situatës me pandeminë.