Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se Qeveria Kurti po abstenon karshi krizës më të rëndë ekonomike që ka kapluar qytetarët e Kosovës.
“Qeveria Kurti po abstenon karshi krizës më të rëndë ekonomike që ka kapluar qytetarët e Kosovës dhe me potencial të madh për ta rënduar edhe më tutje gjendjen e vështirë socio-ekonomike që po mbizotëron në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.
Sipas kreut të opozitës, në kohën kur të gjithë kishin sytë nga rritja e çmimeve, qytetarëve të Kosovës iu prezantua edhe një sfidë e re – ajo e reduktimeve të energjisë elektrike në mes të verës.
Lideri i PDK-së ka shkruar në faqen e tij në Facebook se në tërë këtë situatë, Qeveria e Kosovës ka shfaqur vendosmëri të lartë për të refuzuar çdo rekomandim që do të ndikonte në frenimin e rritjes së çmimeve, por edhe rekomandimet për rritjen e pagave, e të paktën të pensioneve dhe të përfitimeve nga skemat sociale, për aq sa është niveli i inflacionit.
“Kur pritjet për ekonominë këtë vit sa shkojnë e përkeqësohen, Qeveria e Kosovës duket se ka hequr dorë nga çdo përpjekje serioze për ta ndihmuar vendin që ta përballojë krizën ekonomike me të cilën po ballafaqohet. Në vend të kësaj, Qeveria më tepër duket e përcaktuar për një fushatë informuese me të cilën synon t’i njoftojë qytetarët se sa i rëndë do të jetë dimri që po vjen”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka shtuar se të dhënat për muajin korrik tregojnë se çmimet e ushqimit në Kosovë kanë qenë për 22.1% më të larta në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, përderisa të ardhurat e qytetarëve, kanë mbetur të njëjta me periudhën e para krizës e që në terma real, e sipas Krasniqit, nënkupton një rënie të konsiderueshme të fuqisë blerëse.
“Në tërë këtë situatë, Qeveria e Kosovës ka shfaqur vendosmëri të lartë për të refuzuar çdo rekomandim që do të ndikonte në frenimin e rritjes së çmimeve, por edhe rekomandimet për rritjen e pagave, e të paktën të pensioneve dhe të përfitimeve nga skemat sociale, për aq sa është niveli i inflacionit”.
“Në këtë mënyrë, Qeveria ka zgjedhur abstenimin karshi krizës më të rëndë që ka kapluar vendin, me potencial të madh për ta rënduar edhe më tutje gjendjen e vështirë socio-ekonomike që po mbizotëron në Kosovë”, tha kreu i PDK-së Memli Krasniqi.